Mijëra nxënës prishtinas gjatë viteve nëntëdhjetë e kanë kryer shkollën e mesme në këtë shtëpi. Në mesin e tyre edhe gjimnazistë që pas luftës u zgjodhën deputetë apo ministra. Shumë prej tyre iu kthyen shtëpisë-shkollë me premtimet se do ta kthejnë në muze.
Por me kryerjen e zgjedhjeve harruan edhe zotimet dhënë Mehmet Aliut, pronarit që vullnetarisht e kishte lëshuar shtëpinë e porsamobiluar që tinejxherët të vazhdonin shkollimin në sistemin arsimor të udhëhequr nga lëvizja paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova.
“Po atëherë, në fillim të viteve nëntëdhjetë, veç filluan planprogramet e Serbisë me hy në shkolla dhe ato nuk u pranuan. Dhe ne, me të kallxu të drejtën për shtëpi-shkollë, ne kemi qenë duke hy këtu me jetu. Dhe një natë erdh baba, na mledhi krejtve dhe tha se kam vendos me lëshu shtëpinë për shkollë”, tregon Azeminja, e bija e Mehmet Aliut, para shtëpisë së djegur në vitin 1999 nga forcat serbe.
Dhe kështu filloi historia....
Familjarët ishin habitur me të zotin e shtëpisë për shkak se porsa ishin kryer përgatitjet e fundit për të dalë në shtëpinë e re, në vitin 1990, regjimi serb ua mbylli dyert e shkollave nxënësve shqiptarë.
“Dhe kështu filloi historia për shtëpinë-shkollë. Baba kish pas dëgju dhe ata janë mbledhë dhe kanë vendosur. Dhe erdh dakordim që ne me lëshu shtëpinë shkollë. Kanë pasur këtu me hy Ekonomia, Mjekësia dhe Gjimnazi, që kanë qenë konkurente për me hy këtu, mirëpo fati dashti dhe u vendos gjimnazi, gjimnazi ‘Sami Frashëri’”, tregon Aliu para shtëpisë, në ballë të së cilës Komuna e Prishtinës dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës kanë vendosur banerin e zi me të bardhë: “Kujtojmë që të mos harrojmë”.
Herticët, sikurse iu referohen pothuajse të gjithë prishtinasit familjes së madhe Aliu në “Kodër të Trimave”, po iu bashkoheshin qindra e mijëra familjeve gjithandej Kosovës që do të lëshonin shtëpitë për nxënësit e dëbuar nga bankat shkollore.
“Besimi ka qenë mos me ardhë deri te asimilimi i nxënësve. Ne nuk e kemi ditur se sa po vazhdon, por ajo, dashnia, ai vullneti, ajo sakrifica na ka shti që me lëshu për shkak të nxënësve mos me mbet rrugëve dhe me vazhdu mësimin”, thekson Aliu. “Ndoshta ne nuk e kemi paramenduar me vazhdu sikur në të shtetit, mirëpo dashti Zoti dhe vazhdoi sikur me qenë në të shtetit. Ka qenë sakrifica, besimi, për shkak të nxënësve. Rrezikun e kemi ditur se kemi qenë të rrezikuar, por në atë mision kemi qenë të vendosur dhe s’e kemi mendu fort rrezikun hiç, veç me ec përpara”.

E dogjën serbët, e harruan shqiptarët
Në përdhese Aliu ndalet më shumë në dhomën e dytë të anës së majtë. Aty janë vendosur tabela të reja shkollore, ku fotografitë e sjella nga gjimnazistët e dikurshëm tregojnë çaste të ndryshme. Në fillim nxënësit ishin ulur në kauçë e në dysheme, duke i kthyer shpinat e njëri-tjetrit në banka të improvizuara. Pastaj Herticët ia dolën të siguronin vetë banka e karrige që nxënësit të ndiheshin sado pak rehat në dhomat-klasa.
“Mësimdhënësit e gjimnazit ‘Sami Frashëri’ të vitit shkollor 1995/1996, në sallën e arsimtarëve në shkollën-shtëpi të Mehmet Aliut”, shkruan poshtë një fotografie me mësimdhënësit të ulur në kauçë.
“Pjesë teatrale e nxënësve të gjimnazit ‘Sami Frashëri’”, shkruan poshtë një tjetër fotografie, anash së cilës ndodhet edhe një që dokumenton, pa treguar vitin, vizitën e një delegacioni norvegjez. “Nxënësit relaksohen edhe në shtëpi-shkolla gjatë pushimeve në mes të orëve mësimore”.
Por mësonjëtorja ku do të mësonin dhjetë gjenerata gjimnazistësh do të kaplohej nga flakët e kallura nga forcat serbe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
U shkrumbua nga serbët në luftë, por u harrua nga pushteti i shqiptarëve në liri. Baneri nuk e mbulon dot dëshminë e dëshpërimit të Herticëve në kryeqytet. Azemine Aliu nuk habitet as me zhgënjimin e madh të vizitorëve me institucionet. Herticët ende po e presin dorën e shtetit.
Pyetja “e sikletshme” e studentes serbe
“Pas luftës kjo veç filloi me u shkatërru dhe kur e pa baba se po shkon drejt shkatërrimit, atëherë e banëm këtë renovim me forcat tona, se na kemi mundur me shkatërru, me hjek dhe me ndërtu, shtëpi apo diçka, mirëpo jo, sepse ky është një monument historik, ku dhjetë gjenerata janë shkollu edhe nuk ia ka vlejtur me shkatërru. Mirëpo, na me të vërtetë jemi të zhgënjyer prej institucioneve, sepse deri më sot kurrkush nuk ka shprehur gatishmëri për me ardhë me shpallë muze dhe me e restauru”.
Herticët janë sfiduar shpesh nga vizitorët. Vendorë e ndërkombëtarë. Azeminia tregon disa prej rasteve kur u vu në siklet. “Ta zamë, kemi pasur studenta që kanë ardhur prej Kine, prej Amerike, prej Zvicre, kam pasur vizitorë edhe prej Maqedonie, prej Beogradit. Bash pyetjen që ma ka ba një studente kur ka qenë me studentë të Amerikës, ka qenë një studente serbe dhe ma ka ba pyetjen: Pse nuk e keni shpallur muze, pse nuk e keni restauruar qe sa vjet pas luftës”, ka treguar ajo. “Domethënë, pak e kam ndi veten në siklet shumë. Dhe është për me u restauru, sepse ka një bagazh të madh të historisë që ia vlen me shpjegu, me tregu historinë. Ka pasur nxënës të shkollave fillore që i kanë sjellë me autobusë, kanë hezitu me hy brenda, por edhe më kanë bërë pyetje, por edhe mësueses i janë drejtuar se pse na folni për ilirët, për historinë e Skënderbeut, kur e kemi historinë e shpijave-shkolla”.
Kujtimet e tmerrit
Dhe pyetja e vizitores serbe ia ktheu në çast kujtimet e tmerrit. Azeminja ende i vuan pasojat e luftimeve të vitit 1999.
Ca vjet më parë shqiptarët e Kosovës do të lidheshin nyjshëm njëri me tjetrin në luftën e tyre paqësore për të ndërtuar jetë paralele pas suprimimit të autonomisë nga Serbia e Slobodan Milosheviqit më 1989. Nuk bënë punë as grevat e minatorëve në zgafellet e “Trepçës” e as protestat popullore e grevat e ndryshme. Megjithatë, Kosova shpalli atë që do të njihej si Republika e Kaçanikut në ditën e 7 shtatorit 1990 në qytezën juglindore. Muaj më parë, më 2 korrik, delegatët e Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës do të shpallnin Deklaratën Kushtetuese. Një shtet paralel po ndërtohej mbi baza vullnetare e nën kërcënimin e tytave të armëve.
Institucionet paralele të shqiptarëve të Kosovës u përqendruan në arsim me shtëpitë-shkolla dhe në shëndetësi rreth shoqatës humanitare “Nënë Tereza”. Fjala kishte peshë më të madhe se dokumentet që barteshin tinëz e që mund të përbënin provë për ndëshkim nga sistemi serb i drejtësisë.
“Dhe në rrethana të tilla sigurisht se do të kemi një bashkim të popullatës kundër një të keqeje kaq të madhe, dhe sigurisht se nuk kemi pasur rrugë tjetër, veçse t’i besojmë fjalës, t’i besojmë një kauze kaq të madhe, siç ka qenë mbijetesa, por edhe kërkesa, ose qëllimi që ne të çlirohemi një ditë dhe të kemi shtetin tonë”, thekson Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. “Dhe nëse qytetarët, shqiptarët e Kosovës e kanë pasur një kontekst pronësor, një kontekst qoftë civil, qoftë penal, më shumë kanë provuar, le të themi, ta rregullojnë brenda atij sistemi që e kemi ndërtuar përmes, në fillim, partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pastaj edhe nga partitë e tjera, në mënyrë që të mos shkojmë te një shtet, që, le të themi, nuk e kemi njohur”.

Kështu, për qytetarët ishte më e pranueshme që problemet t’i zgjidhnin brenda etnisë, “por në asnjë mënyrë të mos e legjitimojmë një shtet siç ka qenë Jugosllavia, e ku ka qenë një injorim total, i organizuar i policisë, i gjyqësorit, ose çfarëdo që ka përfaqësuar, ose që ka qenë sinonim i një shteti të quajtur Jugosllavi”, shton Miftaraj.
Dekada e bashkimit
Gjithçka thuhej e bëhej në besim. Në emër të kombit. Ky në fakt ishte edhe slogani i lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në krye me studiuesin e urtakun Anton Çetta. U falën 1.170 gjaqe. Lëvizja e Çettës do të rrokte edhe vëmendjen ndërkombëtare. Prestigjiozja “New York Times” shkruante për pajtimin e gjaqeve nga Çetta dhe ndërmjetësuesit e tij. Imamë e priftërinj po i qëndronin në krah Çettës, derisa po zgjatej dora e faljes në emër të shqiptarisë.
“Vitet nëntëdhjetë mendoj se janë tregues shumë i mirë se sa peshë dhe se sa pushtet do të thotë ka fjala edhe gjuha. Do t’i veçoja dy personalitete. Sigurisht dy figura, atin themeltar, do të thotë Ibrahim Rugovën dhe të madhin Anton Çettën. Anton Çeta mbërriti në fillim të viteve nëntëdhjeta t’i pajtojë gjaqet. Ai nuk ka pasur kurrfarë mjeti tjetër. Gjuha ka qenë mjeti i tij të cilin e ka përdorur për t’i pajtuar gjaqet”, thekson Vjosa Sadriu-Hamiti, ligjëruese në Departamentin e Gjermanishtes në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

“Mirëpo ka qenë edhe besa, që do të thotë është dhënë me fjalë dhe që është respektuar në gjithë shoqërinë në Kosovë. Ibrahim Rugova ka mbërri me fjalë, me gjuhë, me kriju besim te krejt populli i Kosovës për Kosovën, për shtetin, për Republikën e parë, mendoj se duhet të quhet Republika e parë, shpallja e parë si shtet i pavarur. Ibrahim Rugova ka mbërri Republikën e parë të Kosovës e ka mbajtur me fjalë. Njerëzit i kanë besuar”, shton ajo.
Megjithëse republikën e parë nuk e njohu askush tjetër pos Shqipërisë, që porsa kishte hedhur farat e demokracisë pas 45 vjetësh komunizmi brutal. Shqiptarët e Kosovës po ndienin dorën e pushtetit shqiptar në arsim e shëndetësi. Dora e hekurt e regjimit kurdo mund ta bënte dhunshëm të veten.
“Mirëpo duhet të ceket se Ibrahim Rugova kurrë asnjëherë nuk i ka zhgënjyer qytetarët, domethënë ato në fillim të viteve nëntëdhjetë deri më 2006, kur edhe vdiq. Ka qenë (slogani,v.j.) ‘Liri, Pavarësi, Demokraci’. Domethënë pavarësia është shndërruar në një realitet, kur ne si gjeneratë e viteve nëntëdhjetë kemi folur për Universitetin e Prishtinës në Republikën e Kosovës. Do të thotë, atëherë fjala, gjuha, ka qenë mjeti i vetëm për me mbijetua dhe me mbajt një shpresë për të ardhmen.”
“Monarkia” e UNMIK-ut
Menjëherë pas çlirimit besimi i qytetarëve në institucionet vendore ishte i lartë, ani pse shumica e kompetencave legjislative e ekzekutive ishin në duar të shefit të Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të njohur me shkurtesën UNMIK
“Në vitin 1999 kthehemi me një sistem krejtësisht tjetër, në atë kohë do me thënë me Rezolutën 1244, që ndërtoi në Kosovë një sistem që më shumë i ngjante një monarkie se një sistemi me vlerat e shteteve që kishin ardhur në Kosovë në kuadër të Rezolutës 1244”, thotë Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Demokraci.
Nga viti 1999 deri më 2008, përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së ishte fuqiplotë në tri pushtetet - legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Vendimet e tij mund të anulonin procese të mbyllura gjyqësore, urdhra ekzekutivë dhe rregulloret që i miratonte edhe vetë Kuvendi i Kosovës.
“Dhe me kalimin e kohës, me shpalljen e Pavarësisë, sigurisht se kërkesat qytetare janë rritur. Tanimë po flasim me gjenerata, kemi gjenerata të reja që sigurisht se kanë qasje dhe mundësi me internetin me qasje në krejt botën, dhe më nuk është vetëm informata që e marrin nga profesorët, por informata është e qasshme edhe në forma tjera”, thekson Miftaraj. “Kështu që edhe roli i shoqërisë civile, rritjes së llogaridhënies ndikon që qytetarët të kenë kërkesa edhe më të mëdha, kërkesa standarde më të mëdha dhe që së paku, sipas Kushtetutës sonë, janë të aplikueshme dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i gëzojnë.
Rënia e madhe
Megjithatë, qytetarët përfshiheshin më shumë në diskutimin e politikave publike.
Bekim Salihu, nga Instituti GAP, thotë se bazuar në vlerësime të përgjithshme, besueshmëria qytetare në institucione varet nga sjellja e pushtetarëve me qytetarët dhe me vetë institucionin.

“Nga raportimet dhe gjetjet që i bëjmë ne si shoqëri civile, por edhe ju si media, del se në raste të shpeshta, të shumta, udhëheqësit e institucioneve abuzojnë me asetet publike dhe me paranë publike. Dhe kjo qasje e tyre ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zvogëlimin ose në zbehjen e drejtpërdrejtë të besimit të qytetarëve në institucione”, thotë Salihu.
Ai tregon se si në periudhën e pasluftës besimi ose interesimi i qytetarëve për t’u përfshirë në diskutime publike, të cilat i kanë ftuar qoftë niveli lokal, qoftë niveli qendror, ka qenë i jashtëzakonshëm. “Ka pasur raste kur sallat e kuvendeve komunale kanë qenë të vogla për të pranuar një numër aq të madh të qytetarëve që kanë qenë të interesuar për t’i dëgjuar udhëheqësit lokalë ose nacionalë në lidhje me planifikimet dhe projektet e tyre”, thekson Salihu.
Salihu thotë se të dhënat e tanishme tregojnë se tani ka interesim shumë të ulët për politikat publike. “...dhe kjo flet më së miri se besueshmëria e qytetarëve, madje lidhja e qytetarëve me institucionet është e zbehtë”.
Tri tipologjitë e raportit me pushtetin
Shkalla e lartë e papunësisë konsiderohet rezultat i keqmenaxhimit politik.
80 për qind e qytetarëve të Kosovës të anketuar nga UNDP besojnë se lidhjet familjare, ato partiake dhe ryshfeti janë kusht për punësimin në institucione publike. Kurse vetëm në 33 nga 85 raste është respektuar rekrutimi i këshilluar nga profesionistët e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Të dhënat dhe vlerësimet janë shpalosur javën e kaluar në diskutimin virtual me temën “Rekrutimet (jo)meritore në sektorin publik: a do ta ndryshojnë institucionet e reja rrethin vicioz në rreth të virtytshëm?”, të organizuar nga Instituti GAP dhe “Kosovo 2.0.”.
E kjo është dëshmi se politikanët duhet të angazhohen në mënyrë që të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.
Durim Abdullahu, gazetar dhe ligjërues i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, shpjegon raportin e shqiptarëve me institucionet publike në periudha të ndryshme historike. Ai thotë se gjatë historisë popujt kanë krijuar raporte specifike me pushtetin varësisht nga organizimi dhe tradita politike.
“Në këtë arealin evropian, të cilit i takojnë edhe shqiptarët, kemi disa tipologji raportesh të popujve të ndryshëm me pushtetin, që mund të jenë shumë të lidhur me besimin e tyre religjioz. Shembull, mund të themi italianët dhe spanjollët, të tjerët të cilët mund të jenë të lidhur me figurën e mbretit, sikurse që është mbase rasti me anglezët dhe të tjerët që e kanë të shpërndarë idenë e pushtetit si sovranitet tek populli. Shembulli më klasik mbase është ai i francezëve”, thekson Abdullahu.
Dhe në rastin e shqiptarëve nuk ekziston mirëfilli asnjëra prej tyre, thotë ai. Raportin e shqiptarëve me pushtetin e sheh si tepër të fragmentarizuar.
Ai thotë se pushtimi nga Perandoria Osmane, organizimi i fisnikërisë arbnore shthuret dhe gradualisht ngjizen fiset shqiptare. “Organizimi fisnor te shqiptarët, që është prezent në shumicën e hapësirës ku jetojnë shqiptarët, ka bërë që raporti i shqiptarëve me pushtetin të mos jetë i llojit të popujve tjerë të Evropës me mbretin, me kishën, me idenë e sovranitetit që buron disi direkt prej popullit, por të jetë si një lloj që në antropologji njihet si barra e fjalës dhe autoriteti më shumë sesa pushteti”, thekson ai.
Degradimi që nis nga gjuha
Me gjuhën është marrë edhe kolegia e tij, Vjosa Hamiti, teksa ka krahasuar gjuhën e deputetëve gjermanë në Bundestag dhe gjuhën e kolegëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Të dhënat janë krejtësisht të kundërta.
“E kam hulumtu sidomos te varietetet, domethënë sa përdoren varietetet në Parlamentin e Kosovës, duke marrë si shembull Gjermaninë, e cila ka dialektet e nëndialekte shumë më shumë se shqipja, mirëpo standardi respektohet në të gjitha instancat. Në këtë punimin që e kam ba ka dalë se – domethënë janë hulumtuar, si bazë hulumtimi janë marrë jo fjalimet që mund t’ua ketë shkruar dikush, por diskutimet që janë zhvilluar gjatë seancës , dhe është interesant se deputetët tanë nuk flasin me dialekt, por është një gjuhë e rrugës që nuk përkon as me dialektin që ka edhe në forma të caktuara, në aspektin leksikor. Me këqyrë hollë e hollë, nuk është as gjuhë shqipe”, thekson ajo. “Është degradim i madh sa i përket shqipes”.
Të dhënat e anketës së prezantuar në fillim të vitit të kaluar nga UNDP-ja treguan ngritje të shkallës së kënaqshmërisë me punën e ekzekutivit të ish-kryeministrit Kurti, ishte 60.7%, që përbënte një rritje prej 46.3 pikë përqindjeje nga anketa e nëntorit 2019, kur ishte 14.4%”
Lidhur me punën e ish-kryekuvendares Vjosa Osmani, kënaqshmëria u rrit në 72.4 për qind këtë vit, nga 20.7 për qind sa ishte në nëntor të vitit 2019 dhe 20.5 për qind në maj të vitit 2019, kur në krye të Kuvendit ishte Kadri Veseli.
Sipas anketës, me gjithë rritjen e niveleve të kënaqshmërisë me institucionet kyç, pati rritje të pakënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës. Më shumë se 62 për qind e të anketuarve deklaruan se ishin të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës.
“Pas vitit 2010 do ta quaja se është degraduar gjuha. Jo vetëm në institucione, po fatkeqësisht edhe nëpër media dhe debate televizive. Madje edhe në portale, për shembull, gazetarët të vetëdijshëm manipulojnë me një pjesë të shoqërisë ku, për shembull, për klikime fusin fjalë si goditi, e tha, te mediat me tituj bombastikë ata duan të marrin klikime, është çështje biznesi, por dëmi është shumë më i madh”, thekson Sadriu-Hamiti. “Politikanët më nuk e kanë përgjegjësinë ndaj fjalës së dhënë, domethënë është edhe krizë morali. Kemi pasur raste sidomos gjatë fushatës, kur tek politikanë të caktuar pa ndodhin lëvizje në të gjitha partitë”.
Shqiptarët pa busull
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që Bashkimi Evropian ende nuk ia ka liberalizuar vizat. Në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian pengesa kryesore për ngecjen e integrimit evropian të Kosovës janë: shkalla e lartë e korrupsionit dhe mungesa e rezultateve konkrete në gjykimin dhe ndëshkimin e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit.
Edhe monitoruesit e sistemit thonë se drejtësia është kapur nga politika, që nuk po i jep llogari askujt.
Hamiti druan se politikanët nëpërmjet, sikurse e quan ajo, shout në media po mbulojnë dështimet e tyre para qytetarëve.
“Është interesant se edhe qytetarët po thonë: hajt se të gjithë po e thojnë njëjtë. Por jo, ne nuk duhet të kënaqemi kur një politikan i cilitdo institucion e thotë është fjala publike, e ke xhiru dhe në media dokumentohet dhe nuk problematizohet”, thekson Sadriu-Hamiti. “Mendoj se edhe si shoqëri kemi faj. Në aspektin moral nuk e moralizojmë, por ky person tha kështu, sot diçka tjetër, fjala më nuk çon peshë, fjala e dhënë besa, me këto ka funksionuar republika e parë. Shiko, fjala nuk e ka më peshën e dikurshme”.
Abdullahu thotë se në mungesë të një qendre të autoritetit ose të një busulle, shqiptarët e Kosovës natyrshëm kanë problem me besueshmëri në raport me idetë e politikës. “Ne nuk kemi një figurë, le të themi perandor, sikurse e kanë japonezët, nuk kemi një mbret a mbretëreshë sikurse e kanë anglezët, nuk kemi një kishë kombëtare sikur e kanë popujt ortodoksë, dhe traditën republikane e kemi veçanërisht të vonë”, thotë ai. “Në mungesë të një autoriteti qendror është krejt e kuptueshme se në Kosovë ka problem me besueshmërinë ndaj politikës dhe politikanëve. Meqë nuk i kemi këto tradita, ideale do të ishte të lidhemi te kjo e treta, te republikania, të krijojmë një raport sa më të ngushtë me institucionet e shtetit, ku burimi i legjitimitetit vjen si sovranitet nga poshtë, le të themi prej popullit dhe mirëmbahet nga ajo që, le të themi, është shtëpia e kombit, që është vetë shteti.
Por ende pa filluar fushata në kulmin e pandemisë, politikanët hoqën maskat e po mbledhin përnatë mijëra përkrahës për ta ruajtur pushtetin. Nganjëherë premtimet e parealizueshme i shoqërojnë edhe me krisma armësh që ekzaltojnë mbështetësit.
Familja Aliu në “Kodër të Trimave” ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do t’ua hapë dyert të gjithë atyre që mund t’i shkojnë në fushatë për të dhënë premtimet e radhës. Pushteti komunal ende nuk e ka jetësuar zotimin për nisjen e punimeve për restaurimin e shtëpisë-shkollë. Baneri, shenja e vetme e dorës së shtetit. Prapa tij, një histori krejt ndryshe.