Një bazë ajrore e kohës sovjetike po kthehet në bazë të operacioneve të aeroplanëve luftarakë të NATO-s. Baza ndodhet në Kuçovë, që gjatë kohës së komunizmit njihej si Qyteti Stalin. Shqipëria, e anëtarësuar më 2009, është kthyer në vend të rëndësishëm strategjik për operacionet e aleancës më të madhe ushtarake në botë
Kuçovë, 20 mars (AP) - Baza ajrore e epokës sovjetike në Shqipëri do të kthehet në bazë të operacioneve taktike të NATO-s. Në janar, puna ka nisur të përshpejtohet në bazën e Kuçovës si vendqëndrim për një mori aeroplanësh luftarakë të Aleancës Veriatlantike.
NATO-ja dhe Shqipëria kanë ndarë 50 milionë euro për bazën e Kuçovës. Baza pritet të jetë funksionale në fund të vitit të ardhshëm.
Baza ajrore, rreth 85 kilometra në jug të Tiranës, ndodhet në Kuçovë, që gjatë kohës së komunizmit njihej si Qyteti Stalin.
Viktor Vangjeli, 83 vjeç, ka shërbyer për 27 vjet në këtë bazë, duke pilotuar aeroplan MiG19 para se të pensionohej në vitin 1990.
“Intensiteti i fluturimeve gjatë atyre kohëve të Luftës së Ftohtë ishte shumë i lartë. Kishte fluturime të përditshme. Dhe baza deri më 1962 ishte ngarkuar me mbulimin e të gjithë hapësirës ajrore të vendit prej këtij regjimenti. Kjo ishte arsyeja pse intensiteti ishte kaq i lartë”, ka treguar Vangjeli.
Koloneli Adrian Kuli, pjesë e qendrës trajnuese të bazës ajrore, ka thënë se baza që për NATO-n do të jetë e para në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se nga baza do të përfitojë komuniteti.
“Kthimi i bazës ajrore të Kuçovës në një bazë ajrore taktike për Aleancën, bazën e parë ajrore të NATO-s në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, ka një vlerë të shtuar për Aleancën dhe për forcat tona të armatosura”, ka thënë Kuli. “Me këtë investim, ne si shtet anëtar i NATO-s, i ofrojmë Aleancës një bazë ajrore me infrastrukturë moderne, me kapacitete moderne, me standarde bashkëkohore që mundësojnë vendosjen dhe operacione të fluturakeve të NATO-s dhe për fluturaket tona në situata të ndryshme, qoftë për operacione trajnuese ose për detyra të tjera, varësisht prej kërkesës së NATO-s”.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri më 1990, Ushtria shqiptare kishte 200 aeroplanë MiG në tri baza ajrore të vendit, por që nisën të ktheheshin në vend skrapi.
Aeroplanët e vjetër kinezë dhe rusë, më nuk u përdorën pas vitit 2005. Shqipëria ka disa helikopterë, por tash pritet të bëhet me disa të tjerë amerikanë të modelit Blackhawk.
“Është absolutisht korrekte se pos ndikimit shumë pozitiv që do të ketë, komuniteti lokal ka mirëpritur gjithë investimet e bëra këtu. Jam fort i bindur se ndikimi pozitiv do të jetë në kontekstin financiar, ekonomik dhe shoqëror, gjithashtu edhe në infrastrukturë dhe shërbime të tjera që ky komunitet do të përfitojë prej zotimit të bazës ajrore të NATO-s”, ka thënë Kuli.
Vangjeli ka thënë se baza e NATO-s do të ketë ndikim ekonomik në rrethinë, por do të jetë shumë e dobishme edhe për pilotët e rinj shqiptarë që do të mund të trajnohen me aeroplanë modernë.
“Në kohën moderne kemi bërë një mik të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si bazë ajrore e NATO-s, padyshim se hap mundësi jo vetëm për ndikimin ekonomik dhe social, por edhe për forcën ajrore”, ka deklaruar Vangjeli. “Sigurisht se djemtë tanë, brezat që do të vijnë të fluturojnë me avionët F-16. Patjetër se do të përfitojnë. Ky është fillimi, që do t’u ofrojë atyre përvojën fluturuese dhe menaxhimi do të jetë në linjë me standardet e NATO-s dhe sigurisht se do të ketë aeroplanë luftarakë për forcat tona”.
Banorët e Kuçovës nuk kanë dashur të flasin për luftën në Ukrainë dhe për ndikimin e saj në zhvillimet ndërkombëtare. Shqipëria ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe u është bashkuar sanksioneve perëndimore.