(E Përditësuar) - Ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e para të tyre para Speciales, në rastin ku bashkë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-këshilltarin e Thaçit, Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së Fadil Fazliu, po akuzohen për pengim të drejtësisë.
"Deklarohem plotësisht i pafajshëm", ka thënë shkurt Kilaj.
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për pengim në administrim të drejtësisë.
Ai ka thënë se aktakuzën e sheh si prekje të dinjitetit të tij njerëzor, profesional e gjithashtu edhe reputacionit.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën e jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për 30 vite, si ish-kryetar i Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës – që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i drejtësisë për dy mandate, si anëtar i ekipit mbrojtës të kryetarit (Kadri) Veseli pranë kësaj gjykate, këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim njerëzor, profesional, por edhe të reputacionit tim”, ka thënë ai.
Ish-ministri i Drejtësisë tutje ka thënë se kjo akuzë ka shqetësuar familjen, studentët dhe rrethin e tij, teksa ka shprehur besimin e tij të plotë se do të lirohet nga akuzat.
“Më vjen keq për shqetësimin që kjo akuzë ua ka bërë anëtarëve të familjes sime, ua ka bërë studentëve dhe kolegëve të mi, shokëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë u them atyre edhe sot: unë jam i njëjti ai që kam qenë para datës 6 dhjetor 2024. Nuk do ta zhgënjej askënd, as ju, as drejtësinë. Më lejoni të jem i qartë, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat”, ka thënë ai.
Gjatë deklarimit të tij, Kuçi ka thënë se bashkë me ish-presidentin Thaçi kanë punuar mbi parimin e drejtësisë dhe respektimin e saj.
“Më lejoni të them se Hashimin e kam mik. Kemi punuar për vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Gjatë tërë punës së bashku ne kemi punuar dhe kemi udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi. Unë si jurist kam përdorur sloganin ‘Sundimi i ligjit, me ligj’ e edhe sot besoj që kjo gjykatë po e bën dhe do ta bëjë të njëjtën gjë. Puna ime është identifikuar në funksion të ndërtimit të drejtësisë, në respektimin e vendimeve gjyqësore, me besimin në drejtësi dhe jo me mos-bindje ndaj urdhrave të gjykatës çfarë thotë akuza”, ka theksuar Kuçi.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se Kuçi, ndër të tjera, ka shkelur urdhrin e gjykatës që ia ndalon t’i kontaktojë dëshmitarët duke i dërguar mesazh njërit prej tyre.
“Po ashtu Hajredin Kuçi dështoi t’i bindej urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake që ndalon kontaktin me dëshmitarët e ZPS-së jashtë dispozitave të zbatueshme në kuadër të protokollit të kontaktit në rastin Thaçi dhe të tjerët, të miratuara në (dokumentin) KSCBC-2020-06/F00854, duke i çuar mesazh dëshmitarit 1 më datën 12 prill 2023 apo rreth kësaj date”, thuhet në pikën 33 të aktakuzës.
E Kuçi gjatë deklarimi të tij në paraqitjen e parë tha se është plotësisht i pafajshëm se nuk i ka kontaktuar dëshmitarët pavarësisht se e kishte mundësinë t’i kontaktonte. Aktakuza që iu ngrit ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministrit Blerim Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, si dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Fadil Fazliu, përmban dy akuza për Kuçin lidhur me veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
