Arbëri

Kualifikohen për intervistë të 11 kandidatët që kanë mësyrë Kushtetuesen

11 kandidatë i janë rrekur garës për një pozitë gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese. Një komision i Kuvendit ka konstatuar se të gjithë janë të kualifikuar për t’iu nënshtruar procesit të vlerësimit. Deputetë nga radhët e pushtetit dhe të opozitës pranojnë ndikimin që mund ta ketë politika, por zotohen se kredencialet profesionale do të jenë përcaktuese në procesin e tashëm përzgjedhës

Të 11 kandidatët që kanë aplikuar në thirrjen për një pozitë gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese janë kualifikuar për t’iu nënshkruar procesit të vlerësimit.

Një komision i posaçëm për shqyrtimin e kandidaturave, i formuar nga Kuvendi, ka vendosur për këtë në tentativën e dytë. E para ka dështuar dhe sebep ishte bërë një dilemë ligjore e ngritur nga LDK-ja, shkaku se kryeparlamentari nuk e ka kryesuar Komisionin por, për ta bërë këtë, e ka autorizuar deputetin Adnan Rrustemi.

Sipas opinionit që ka dhënë Drejtoria për Çështje Ligjore dhe Procedurale e Kuvendit, autorizimi është konform Ligjit për Gjykatë Kushtetuese.

Kryesuesi Rrustemi thotë se ky opinion ligjor i ka hapur rrugë procesit të vlerësimit të kandidatëve.

“Pasi u qartësua gjithçka që autorizimi i kryetarit të Kuvendit ishte në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Komisioni ka vazhduar sot punimet duke e vlerësuar që 11 kandidatët i plotësojnë kriteret formale për të vazhduar për fazën tjetër”, ka deklaruar ai.

Në garë për një pozitë gjyqtari në Kushtetuese janë: Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi.

Deputeti opozitar, Besnik Tahiri, është në Komisionin shqyrtues të kandidaturave dhe ka vlerësim pozitiv për kandidatët.

“Lista ish goxha e begatshme. Ishte një listë me njerëz me vlera, me CV shumë të mira. Të gjitha CV-të i kemi marrë. Tash është procesi procedural – testimi me shkrim, e pastaj intervistimi dhe vlerësimi që bëhet”, ka thënë Tahiri.

Vazhdimisht ka pasur akuza se lidhjet politike kanë qenë përcaktuese për kandidatët që i ishin rrekur garës për anëtarë të autoritetit të vetëm që interpreton Kushtetutën e Kosovës.

Deputetë nga radhët e pushtetit dhe të opozitës pranojnë ndikimin që mund ta ketë politika, por zotohen se kredencialet profesionale do të jenë përcaktuese në procesin e tashëm përzgjedhës.

Më 17 maj do të zhvillohet testi me shkrim për kandidatët e për datën 24 maj është planifikuar të realizohet intervista me gojë. Më pas, Komisioni do ta hartojë listën e ngushtë deri në pesë kandidatë, dhe do t’ia propozojë deputetëve për ta zgjedhur njërin prej tyre.