Arbëri

KTV-ja feston përvjetorin me program të veçantë

KTV - Programi

E diela e 22 shtatorit është ditë e veçantë për Kohavisionin. E, i veçantë është edhe programi që sjell sot, kur feston 24-vjetorin e themelimit. 

Nis me “Programin Fluturues të Fëmijëve”. Në këtë përvjetor, një grup fëmijësh kanë vizituar ambientet e KOHË-s për t’u njohur më për së afërmi me botën e magjishme të televizionit. 

Me një edicion special vjen të dielën edhe programi i mëngjesit, që këtë herë do të jetë më i vonshëm. Duke filluar prej orës 10:00 nën drejtimin e Besiana Dautit, emisioni SOT këtë herë i dedikohet përvojës shumëvjeçare të producentëve, redaktorëve, gazetarëve, kameramanëve e shoferëve të televizionit. 

“Kanë ndarë rrëfime nga puna në terren, sfidat dhe përvojat e punës në TV, momente interesante... SOT po ashtu kthehet në kohë dhe risjell disa storie, histori që kanë zgjuar ndër vite kureshtjen e shikuesve. Një prej tyre është një rrëfim suksesi i një gruaje, pas transmetimit të së cilës ka pasur një ndryshim për të mirë në jetën e saj”, ka thënë Edona Beshkeshi-Shala, zëvendësproducente ekzekutive në KTV. 

Ajo ka thënë shikuesit janë mësuar që TV Fjalëkryqi të plotësohet nga telefonuesit. 

“Por këtë herë fjalëkryqi do të plotësohet live në studio. Të pranishëm do të jenë dy prej shikuesve të rregullt të emisionit”, ka thënë Bekteshi-Shala derisa ka shpalosur edhe pjesën tjetër të programit. 
“Një edicion special do të ketë edhe ‘Fashionista’, që për protagoniste ka prezantueset më me të stil të Kohavisionit ndër vite”, ka thënë ajo. 

Një edicion jo të zakontë sjell edhe ekipi i emisionit të kulturës, “Express”. Të ftuarit e prezantueses Lea Krajkova kësaj radhe janë personalitete nga skena e artit dhe kulturës në vend, e të cilët fillimet e tyre i kanë shënuar pikërisht në KTV. 

“Mes tyre artisti i dizajnit, Albian Gagica, i cili dikur ka punuar si dizajner dhe shef i montazhit dhe regjisori, Birol Urcan, i cili përveç si gazetar në fillimet e tij në Kohavision, ka punuar edhe si drejtor i programit. Që të dy ndajnë momente interesante nga puna në KTV dhe se si kjo përvojë u ka ndihmuar në formimin e tyre profesional”, ka thënë Edona Binaku, producente e “Expressit”.  Pjesë e edicionit special janë edhe dy ish-producentët e emisionit “Express”, Edona Bekteshi-Shala dhe Dardan Selimaj, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre e kanë ndërtuar atë në emisionin më jetëgjatë dhe më të veçantë të kulturës në vend.

Por programi i veçantë nuk ndalet ma kaq. “Top KOHA” në 24-vjetorin e KTV-së sjell 24 hitet shqiptare për secilin vit, prej vitit 2000 e këtej.

Special është edhe emisioni “Cosmo” që sjell rrëfimin për fillet dhe misionin e KTV-së e të KOHËS në përgjithësi. 

22 shtatori i vitit 2000 ishte dita e parë e një transmetimi që nuk ndalet. Nga ajo ditë, Kohavisioni u bë shtyllë e fuqishme e KOHËS dhe do të vazhdojë të ecë me KOHËN.