Arbëri

Kthehet në zero konkursi për drejtor të AAC-së, tre kandidatët e përzgjedhur s’i plotësonin kriteret

Aviacioni Civil

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHC) ka kthyer në rivlerësim konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Në qershor ishte shpallur lista me tre kandidatët fitues për këtë pozitë. Megjithatë, sipas monitoruesve në kuadër të projektit britanik “Corrwatch”, asnjëri prej të treve nuk e plotësonte kriterin e përvojës së punës. 

AAC-ja bashkë me Komisionin Shtetëror për Pranim në pozita të larta drejtuese i kishin poentuar me pikë maksimale Alban Ramabajën, Matej Krasniqin dhe Istref Nimanin. Sipas “Corrwatchit”, me konkurs kërkoheshin tetë vjet përvojë punë profesionale, prej tyre pesë në pozita drejtuese dhe diplomë masteri, ose tre vjet përvojë pune në pozita drejtuese dhe doktoratë. 

Këta tre kandidatë që nuk i plotësonin kriteret, gjatë fazës së verifikimit paraprak AAC-ja i përfshiu në listë të ngushtë, bashkë me katër të tjerë të cilët pavarësisht se i kanë plotësuar kriteret, nuk ishin treguar mjaftueshëm të mirë në testim dhe intervistim.

Tre emrat ishte paraparë të dërgoheshin te Ministria e Infrastrukturës e cila kishte për detyrë që njërin ta rekomandonte për miratim në Qeveri. Procesi ishte ndërprerë pas ankesës së kandidatëve të tjerë.

Tani KPMSHCK-ja e ka obliguar Njësinë e Burimeve Njerëzore në AAC që të kthejë konkursin në fazën e verifikimit paraprak të aplikacioneve, sipas vendimit të cilin e ka siguruar KOHA. Në vendim specifikohet se kandidatët s'e plotësojnë kriterin për përvojë pune.

KOHA ka raportuar në fillim të qershorit se për dyshimet për shkelje gjatë këtij procesi, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës të nisë një hetim parapenal. 

Pavarësisht hetimit, Komisioni Shtetëror i ka çuar deri në fund procedurat e rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së.

Hetimit i parapriu thirrja e Ambasada Britanike, e cila mbështet projektin për monitorimin e emërimeve në pozita të larta drejtuese. Kjo, pasi monitoruesit gjetën se nga 10 kandidatët që kanë aplikuar, AAC gjatë vlerësimit ka filtruar fillimisht vetëm 4 nga ta, e më pas ka futur në listë të ngushtë edhe 3 të tjerë të cilët nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.

Në një përgjigje që Ambasada e ka dhënë për KOHËN, theksohej se nëse procesi nuk rishqyrtohet, duhet të aktivizohet hetuesia.

“Projekti ka gjetur se tre kandidatë të cilët janë shtuar në listë më vonë, nuk i kanë plotësuar kriteret, andaj kërkon që procesi të rishikohet sepse kjo paraqet shkelje ligjore. Nëse procesi nuk kthehet në rishikim, u mbetet organeve të drejtësisë të vlerësojnë validitetin e procesit dhe shkeljet e identifikuara nga projekti”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë.

Në gusht të 2023-s, drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, ishte shkarkuar nga Qeveria.