Arbëri

Kthehet në normalitet furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi në Zubin-Potok

shpërthimi në Ibër-Lepenc

Pamje nga shpërthimi në Ibër-Lepenc

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur të dielën se furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ibër-Lepencit po kthehet në normalitet.

Rizvanolli ka shkruar në Facebook se të shtunën vonë ka filluar furnizimi me ujë në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Pas dëmeve që ka shkaktuar shpërthimi me eksplozivë, reduktime të ujit ka pasur edhe në Drenas, Fushë-Kosovë e Obiliq.

Furnizimi me ujë pritet të normalizohet edhe në këto komuna.

“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet! Mbrëmë në orët e vona ka filluar furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.  Sot, uji tashmë është lëshuar për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj. Brenda pak orësh pritet të normalizohet furnizimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit!”, thuhet në postimin e saj. 

Për normalizimin e gjendjes së trajtimit dhe shpërndarjes së ujit ka njoftuar edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica.

Në një njoftim në Facebook, kompania ka thënë se impiantet për trajtim të Ujit në Shipol dhe Balinc po punojnë me kapacitete normale të përpunimit të ujit.

“Ju njoftojmë se sot, Impiantet për Trajtimin e Ujit në Shipol dhe Balinc janë duke punuar me kapacitet normal të trajtimit/përpunimit të ujit, prandaj edhe shpërndarja dhe furnizmi i ujit janë stabilizuar dhe janë kthyer në gjendjen normale të furnizimit. Tani pritet që uji i pijes të arrije edhe tek konsumatorët tjerë të cilëve u rekomandojë që në rast se uji u vjen i turbullt, ta lënë rubinetën hapur për disa çaste derisa uji të kthjellohet. Kjo gjendje e ujit vjen si pasojë e gypave të vjetruar të cilët me kohë krijojnë një masë korozive dhe rrjedhjeve të mundëshme në pusetat e ujëmatësve me ç’rast vakumi që krijohet me ardhjen e ujit, e bartë ujin e papastër deri në rubinetat tuaj”, thuhet në komunikatë.