Arbëri

Kryqi i Kuq: Palët të rrisin përpjekjet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Te pagjeturit

Foto: Alban Bujari

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se vazhdon hulumtimin në arkivat ndërkombëtare dhe kombëtare që mund të përmbajnë dokumentacion dhe informata që mund të ndihmojnë në kërkimin, zhvarrosjen dhe procesin e identifikimit të personave të zhdukur. Përmes një komunikate në Ditën

Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Komiteti ka shtuar se analiza e këtyre dokumenteve është duke u bërë në vazhdimësi, dhe me të dyja palët rregullisht ndahen raporte analitike me rekomandime, në përpjekje për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e sa më shumë personave të zhdukur.

Koordinatorja Rajonale për Mbrojtje për Ballkan dhe Kryesuesja e Grupit Punues për Persona të Zhdukur në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Aurelie Gautier, ka thënë se familjet e personave të zhdukur duhet ta dinë se nuk janë vetëm, se të dashurit e tyre nuk janë harruar dhe se po bëhet çmos që të ndihmohen për të marrë përgjigje. 

“Këtë vit, përveç rifillimit të takimeve në nivel teknik, KNKK ka kryesuar edhe dy seanca pune të Grupit Punues dhe palët janë zotuar për të adresuar disa lokacione të dyshuara të vendvarrezave. Shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje autoriteteve në të dyja anët që urgjentisht të përmbushin angazhimet e tyre, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të rrisin përpjekjet e tyre në zgjidhjen e këtij problemi humanitar që vazhdon të prekë familjet dhe shoqëritë në përgjithësi, më shumë se dy dekada pas përfundimit të konfliktit të armatosur”, ka theksuar Gautier.