Arbëri

Kryeziu-Hyseni: Asociacioni s’është në qendër të planit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në qendër të planit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, i cili i është dorëzuar Kosovës së fundmi nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Megjithëse, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi konfirmoi se kanë dërguar shtatë faqe komente për këtë plan, deputetja e pushtetit është pesimiste se do të ketë progres në këtë drejtim, për shkak, siç thotë, qasjes dekonstruktive të Serbisë dhe mosnënshkrimit të marrëveshjes.

Kryeziu-Hyseni, e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme dhe diasporë, tha se Asociacioni s’do të jetë elementi kyç i zbatimit të planit të marrëveshjes, mirëpo në dokument duhet trajtuar të gjitha pikat radhazi për të mbërritur te pika e shtatë ku flitet për vetëmenaxhim.

“Nëse do të ishte Asociacioni qendra e dokumenteve deri më tani do të kishim dërguar draftin, do të kishim marrë opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të kishte filluar implementimi i Asociacionit. Krejt arsyeja pse jemi në një situatë të tillë është se Kosova s’pranon që Asociacioni të vendoset në qendër të cilitdo diskutim që lidhet me procesin e dialogut, pasi nuk është Asociacioni qendra. Dokumenti kryesor është marrëveshja bazike dhe ne duhet t’i përmbahemi kësaj duke trajtuar të gjitha pikat radhazi që janë pjesë e këtij dokumenti për të mbërritur aty ku quhet vetëmenaxhim. Mirëpo, ne nuk do të nxjerrim Asociacionin në qendër të cilitdo diskutim, pasi sikur të kishim bërë këtë gjë, Asociacioni tashmë do të ishte harruar dhe dialogu do të kishte marrë fund”, theksoi ajo.

Sipas saj, progres në dialog do të ketë vetëm kur Serbia të nënshkruajë marrëveshjen dhe të tërheq letrën e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq që i ka dërguar BE-së, ku thuhet se Serbia zbaton marrëveshjen vetëm pjesërisht.

“Mund të ketë progres nëse Serbia e tërheq letrën e Bërnabiqit që është dërguar vitin e kaluar dhe të thotë se është pjesë e dialogut. Ne nuk e kemi të qartë nëse Serbia është apo jo pjesë e dialogut. Ata praktikisht kanë hequr dorë nga dialogu përmes letrës së ish-kryeministres. Mund të kishte progres nëse do të kishte qasje pak më konstruktive të Serbisë në këtë drejtim. Nëse ata do të quanin veten pjesë të dialogut, e para gjë që do të bënin është të pranojnë marrëveshjen bazike dhe të njëjtën kohë të nënshkruanin për të kaluar te plani i sekuencimit. Nuk e di tash si do të mund të kalojmë te plani i sekuencimit kur po flasim për një shtet që është palë në dialog, por nuk e pranon dialogun dhe marrëveshjen bazike dhe kundërshton gjithçka që derivon prej këtyre dy dokumenteve shumë të rëndësishme. Nëse marrëveshja bazike nuk pranohet nuk e di si mund të kalohet te plani i veprimit ose si të përcaktohen hapat e sekuencimit tani e tutje”, shton deputetja.

Kryeziu-Hyseni kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ketë një pozicion të qartë sa i përket refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Është mirë që kjo të qartësohet prej vetë Bashkimit Evropian në mënyrë që të kemi një pasqyrë më të qartë sesi do të rrjedhë procesi i dialogut tani e tutje. Natyrisht se do të ketë takime në nivel të kryenegociatorëve sepse ideja është që të shtyhet procesi përpara dhe të lëvizë. Ka një kohë që ka mbetur në gjendje të palakueshme sidomos për neve si një shtet demokratik që synojnë t’i bashkohemi strukturave euro-atlantike. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të japim krejt forcën tonë, konstruktivtetin tonë në mënyrë që të nxjerrim rezultate konkrete, por nuk e di sa mund të ketë mundësi përderisa pjesë e dialogut është një palë që bllokon gjithçka. Prandaj duhet të qartësohet pozicioni i Serbisë dhe pozicioni i Bashkimit Evropian karshi palëve në mënyrë që të dihet si të ecim tutje”, deklaroi ajo.

Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ajo është optimiste se kjo temë do të rikthehet në agjendë në takimin e radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së.

“Nuk mendoj se Kosova ka dështuar (për anëtarësim në Këshill të Evropës). Besoj se i kemi plotësuar të gjitha kriteret që kanë qenë të kërkuara prej vetë Këshillit të Evropës në mënyrë që ne të bëhemi anëtarë të KiE-së. Kriteri i fundit ka ardhur krejt në momentet e fundit dhe ka qenë e padrejtë një veprim i tillë që është karshi neve pasi s’përkon fare as me raportin që është bërë prej Këshillit të Evropës dhe diskutime të tjera që kanë qenë në nivel të brendshëm të KiE-së. Ky veprim është bërë qëllimshëm në mënyrë që Kosova të mbahet jashtë pasi ne nuk po pranojmë që të dërgojmë një draft të hartuar nga Lajçaku për opinion në Gjykatën Kushtetuese. Dua të besoj shumë se çështja e Kosovës do të rikthehet në takimin e Këshillit të Ministrave dhe ata do të votojnë pro, pasi ata tashmë e kanë një rekomandim të Asamblesë Parlamentare që kanë votuar pro anëtarësimit të Kosovës”, theksoi ajo. 

Krahas këtyre, Kryeziu-Hyseni e konsideron të domosdoshëm largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. /KSP