Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se standardi 50% plus 1 votues për shkaktim të kryetarit të komunës është arsyeja kryesore e bojkotit të procesit të votimit të kryetarëve në katër komunat në veri.
Sipas tij ky standard nuk do të mund të arrihej “jo vetëm në komunat e veriut, por se me pikëpyetje të madhe mund të arrihet në cilën do Komunë të Kosovës”.
“Pra arsyeja themelore të cilën e dimë të gjithë ose më e përafërta, është standardi 50%+1 e votuesve nga lista përfundimtarëve e votuesve, duhet të votojnë PRO largimit të kryetarit. Ky standard automatikisht e bënë të domosdoshëm dhe pjesëmarrjen mbi 50% të votuesve në zgjedhje, për të arritur legjitimitet dhe për tu konsideruar proces i suksesshëm. A është standard demokratik, po është. A është standard i pa arritshëm, po është”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij qytetarët e katër komunave në veri, duke e parë se ishin futur me një proces që mund të dilnin humbës dhe të legjitimonin kryetaret e komunave që “erdhën me nga 100 vota kryetar, vendosen të shmangin këtë legjitimitet të kryetarëve aktualë përmes pjesëmarrjes së tyre në votim”.
Për këtë arsye sipas tij ata e bojkotuan procesin e votimit.
“Lista përfundimtare e votuesve në Kosovë jo vetëm ajo ne veri, për nga saktësia është shumë e diskutueshme dhe joreale, përfshi sfidat dhe numrin e votuesve jorezident në Kosovë, me të drejtë vote. Kush do të vinte në Kosovë nga një shtet tjetër për të votuar, për një kryetar komune ose për të shkarkuar një kryetar komune. E shumta ndonjë qytetar i rrallë ose askush!?”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij rëndësia e pjesëmarrjes në votim është thelbësore për demokracinë.
Megjithëkëtë ai ka theksuar se nuk duhet të harrohet asnjëherë se edhe bojkoti është veprim politik dhe demokratik.
“Bojkoti i procesit të votimit zakonisht ndodhë si protestë politike, si instrument rezistence, si refuzimi i legjitimitetit të institucioneve dhe politikave të cilat mund të cenojnë të drejtat e një komuniteti dhe s’janë mjaftueshëm përfaqësuese për interesat e tyre”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij qytetarët serb të dielën vendosën të refuzojnë dhe të bojkotojnë procesin e votimit, që të protestojnë politikisht kundër pjesëmarrjes në një proces që ai ka thënë se do të legjitimonte kryetarët aktualë.
“Institucionet dhe qeveria e Kosovës, janë përgjegjëse që të ndërmarrim veprime politike e institucionale të minimizojnë arsyet e protestës politike të komunitetit serb dhe të ofrojnë si alternativë të vetme, integrimin edhe përfaqësimin e tyre në institucione. Nuk mund të pretendosh se po i shërben një ambienti integrues e demokratik, duke injoruar protestën politike dhe duke e promovuar si të arritur demokratike, qeverisjen e një komuniteti shumicë me kryetar të një komuniteti pakicë e të zgjedhur me nga 100 vota”, ka shkruar Kryeziu.
Të dielën në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve. Por nisma e qytetarëve serbë ka dështuar.
Për shkarkim nevojitej vota pro e 50 për qind e trupës elektorale të një komune, plus një votë, por në fund të ditës mezi u mblodhën 250 vota në të katër komunat.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Mitrovicë të Veriut kanë votuar 111 persona me të drejtë vote, në Leposaviq 124, në Zubin-Potok 18 dhe në Zveçan asnjë.