Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar për deklaratën e Bashkimit Evropian lidhur me operacionet e së hënës në veri të vendit.
Kryeziu ka thënë se sugjerimi i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), që strukturat ilegale në Kosovë të trajtohen me Asociacion të komunave me shumicë serbe është paraqitje mashtruese e asaj se si është menduar Asociacioni.
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e saj sot - që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen me Asociacion - është paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar të ishte ndonjëherë”, ka shkruar ai.
The EEAS’ suggestion in its statement today—that illegal structures in 🇽🇰 must be dealt w/ & resolved in conjunction w/ ASMM—is a misleading representation of what ASMM was ever meant to be. For one, it isn’t an umbrella for legalizing illegally & unilaterally created structures.
— Perparim Kryeziu (@KryeziuPerparim) May 21, 2024
Sipas Kryeziut, Asociacioni nuk është ombrellë për legalizim të strukturave të krijuara paralelisht dhe në mënyrë të paligjshme.
Bashkimi Evropian (BE) ka reaguar ashpër të martën ndaj operacionit të Policisë së Kosovës ndaj ndërtesave të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të vendit, duke e quajtur këtë si dëshmi se Kosova “u jep prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët”.
“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, thuhet në këtë komunikatë. “Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre objekteve pa një paralajmërim dhe pa koordinim vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, në të cilin po ashtu u shqyrtua çështja e objekteve të Bankës Postare Kursimore, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit ndërsa edhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës për arritjen e normalizimit të raporteve përmes dialogut”.