Renditja e sivjetme në Indeksin e Lirisë së Shtypit nuk duhet të na dekurajoj, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, duke arsyetuar se viti nuk ka qenë i lehtë marrë parasysh situatën e sigurisë nga ngjarjet në veri.
Kryeziu ka thënë se është koha e duhur që secili ta ushtrojë rolin që e ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura.
“Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka veçuar dy raste si më kryesore sipas tij, që janë dhënë në raportin e Reporterët pa Kufij si çështje që kanë ndikuar në renditjen e ulët të Kosovës në indeks. Megjithatë, nuk ka përmendur RTK-në, për të cilin organizata Reporterët pa Kufij ka thënë se “qeveria kishte kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik me zgjedhjen e një aleati të ngushtë të partisë në pushtet si drejtor”.
Kryeziu ka thënë se sulmet ndaj gazetarëve në veri vitin e kaluar në raport janë përshkruar me gjuhë neutrale, edhe pse ato janë kryer nga banda kriminale të Serbisë. Ai ka theksuar se “veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës”.
Ndërsa, për rastin e regjistrimit të Klan Kosovës, Kryeziu ka shtuar se kësaj media i është kërkuar vetëm llogaridhënie ligjore nga institucionet.
“Sa i përket çështjes së Klan Kosovës sh.p.k, aty është evidentuar një shkelje ligjore. Pas denoncimit publik, Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar. Ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte. Edhe këtu, mediat kanë pasur një rol kyç në denoncimin publik të rastit, duke kontribuar edhe këtu në respektimin e kushtetutshmërisë”, ka shtuar Kryeziu.