Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka dënuar djegien e shtëpisë së një shqiptari në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut në orët e para të së martës. Shtëpia ishte ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
Peci në një reagim në Facebook ka thënë se sulmet e tilla janë të papranueshme.
“Kryetari i komunës së Zveçanit z. Ilir Peci, dënon fuqishëm sulmin ndaj shtëpisë me pronar shqiptar. Sulmet e tilla, e cenojnë rendin dhe sigurinë publike dhe si te tilla jane te pa pranueshme. Ju bejme thirrje organeve te rendit dhe te drejtësisë qe këtë akt kriminal, ta zbardhin sa ma shpejt dhe njeherit kryesitë e kesaj vepre te dalin sa ma shpejt para drejtësisë. Po ashtu, kërcënimi qe ju eshte bere zyrtarit komunal, ka per qellim frikesimin dhe pengimin në kryerjen e detyrave të perditshme ndaj zyrtarit komunal”, thuhet në reagim.
Kryetari i Zveçanit i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione lidhur me këto dy raste t’i ndajnë me Policinë e Kosovës.
“Ne si Komunë jemi shume te perkushtuar dhe nuk do te ndalemi ne kryerjen e detyrave tona, karshi gjithë qytetarëve pa dallim. Njeherit ju bejme thirrje gjithë qytetarëve që çfarë do informacione qe mund te posedojnë lidhur me keto akte kriminale, te bashkëpunojnë ngushtë me policinë e Kosovës, ne menyre qe kryesitë e këtyre veprave kriminale të dalin sa ma shpejt para drejtësisë”, vijon reagimi.