Arbëri

Kryetari i Zveçanit tërhiqet nga marrëveshja me KRU “Mitrovicën”

Ilir Peci

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka refuzuar marrëveshjen që kjo komunë e ka arritur me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” një ditë më parë, duke thënë se dokumentit i është larguar pika që parashihte, sipas tij, pranimin teknik të tre fshatrave të kësaj komune.

Në një shkrim në Facebook, Peci ka thënë se ka qenë kërkesë kryesore e kësaj komune që të bëhet pranimi teknik për fshatrat Lipë, Zhazhë, Boletin dhe se për këtë ka pasur pranim nga pala tjetër. Megjithatë, sipas tij, kur e ka pranuar dokumentin në zyrë, kjo pikë ka munguar.

“Sot gjatë ditës na i sollën marrëveshjet dhe kuptuam se ishte larguar ajo pikë në marrëveshje. Unë me përgjegjësi të plotë për qytetarët e mi dhe votuesit të cilët më kanë përkrahur ndjej obligim t’i informoj se e kam refuzuar atë marrëveshje dhe nuk do të bëhet deri në momentin e plotësimit të kësaj kërkese. Un do të ju mbaj të informuar lidhur me këtë proces në ditët në vijim dhe ju siguroj se do të bëjë të pamundurën për të ju siguruat furnizim me ujë”, ka shkruar ai.

Ndaj vendimit të Pecit ka reaguar zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, që ka thënë se kryetari i Zveçanit është tërhequr nga marrëveshja për shkak “të qortimit nga partia”.

“Jam thellësisht i shqetësuar që komuna e Zveçanit ka vendosë me u tërheqë nga zona e shërbimit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit «Mitrovica», një ditë pasi kryetari i komunës nënshkroi marrëveshjen për të qenë pjesë e zonës. Duket qartë se partia e vet e ka qortu kryetarin pse ka përkrahë një përpjekje të kahershme të Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë për të mirën e qytetarëve. Shpjegim tjetër nuk ka”, ka shkruar ai në Facebook.

Mjeku ka deklaruar se marrëveshja ka paraparë pranim teknik të të gjitha aseteve të ujësjellësit në krejt territorin e komunës pa dallim. Zëvendësministri ka akuzuar kryetarin Peci se “ka provu disa herë ta kufizojë shërbimin te katundet me banorë shqiptarë”.

“Pastaj ka pyetë nëse çështja duhet të diskutohet me të huajt. Pas këmbënguljes sonë se nuk mund të ketë dallime etnike dhe se shërbimi i ujësjellësit rregullohet me ligjet e brendshme, kryetari ka pranu të lidhë marrëveshjen me KRU Mitrovicën. Sot u pendu. Dhe pendesa është pasojë e pengesës që PDK po i bën shtetit nga lakmia për pushtetin”, ka shkruar tutje ai.

Gjatë ditës, KRU “Mitrovica” tek njoftoi për marrëveshjet me tri komunat në veri (Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Zubin-Potokun) tha se qëllimi i marrëveshjes ka të bëjë me cilësinë e ujit që ofrohet, sasi të ujit dhe shërbim 24/7 dhe faturim, inkasim e investime në rrjet.

Për marrëveshjet njoftoi edhe Ministria e Ekonomisë. Sipas njoftimit, tani banorët e këtyre tri komunave do të inkasohen dhe faturohen nga KRU “Mitrovica”. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë qenë ministrja Artane Rizvanolli dhe zëvendësministri Getoar Mjeku. Rizvanolli ka deklaruar, sipas njoftimit, se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.

“Deri më sot KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tre komuna, Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut, edhe pse ne të gjithë e dimë se kjo nuk është rajoni i plotë i Mitrovicës dhe kjo nuk e reflekton integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nga sot, KRU ‘Mitrovica’ po i jep kuptim të plotë emrit të vet duke lidhur marrëveshje të shërbimit edhe me tri komuna veriore, së shpejti besoj të katërtat. Pra, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin e Zubin Potokun sot dhe Leposaviqin”, deklaroi ministrja Rizvanolli.

Ndërsa kryeshefi i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti ka thënë se katër komunat veriore do të marrin shërbime nga KRU “Mitrovica”.

“Nga sot do të marrim në shërbim katër komunat veriore. Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë transitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel”, ka thënë ai.

KOHA u ka dërguar pyetje Ministrisë së Ekonomisë dhe KRU “Mitrovicës” për akuzën e Pecit. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.