Votimi i së dielës nuk ua ka marrë mandatet kryetarëve të komunave në veri. Meqë ata pritet ta ushtrojnë funksionin deri në zgjedhjet e rregullta, dy kryetarët nga radhët e PDK-së që i kryejnë detyrat në zyrë alternative, shpejt pritet të vendosen në objektet komunale.
Kryetari i Zubin Potokut është rikthyer në objektin komunal, një vit pasi mandatin e ushtroi nga zyra alternative. Sebep për kthim u bë seanca e Kuvendit Komunal në të cilën u vendos themelimi i një Komisioni për verifikimin e pronave komunale.
Derisa vitin e kaluar ardhja e kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në Kuvendin Komunal ishte shoqëruar me protesta të dhunshme, rikthimi i tij pas një viti nuk u ka bërë përshtypje qytetarëve serb, të cilët patën një aktivitet bamirës afër komunës.
Ditën kur u mbajt seanca në Shtëpinë e Kulturës që është ngjitur me objektin komunal, jashtë u lëshua muzikë në kuadër të një aksioni për mbledhjen e parave për shërimin e dy fëmijëve nga Zubin Potoku.
Pasi kryen punë, kryetari Zeqiri dhe këshilltarët u larguan nga godina komunale.
“Sot në bashkëpunim me kryesuesin kemi thirrur një seancë urgjente që të mbahet në objektin e komunës së Zubin Potokut. Arsyeja kryesore e seancës ishte themelimi një komisioni për pranimin e objektit në tërësi, të gjitha zyrave, pra për ta identifikuar gjendjen. Ishte pika e parë miratimi i seancës së kaluar, procesverbaleve. Ishte shumë shkurtër seanca, por me rëndësi që të themelohet komisioni, kështu që këta e përgatisin terrenin për funksionalizimin e të gjitha dikastereve në komunë”, ka thënë Zeqiri për KOHËN.
Vitin e kaluar Zeqiri dhe dy kryetarët e tjerë nga veriu u ballafaquan me protesta të dhunshme, pasi për herë të parë hynë në objektet komunale që deri para 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe.
Vendimi i Zeqirit dhe kryetarit tjetër nga radhët e PDK-së në Zveçan, Ilir Peci për të dalë në zyrat komunale, ndodh disa ditë pasi dështoi votimi për shkarkimin e tyre.
Edhe kryetari i Zveçanit pritet të dalë në zyrë nga java e ardhshme.
Pas tensioneve që u patën krijuar në veri dhe protestave të organizuara nga serbët, të cilët nuk i lejonin që funksionet t’i ushtronin nga objektet komunale, ata iu përgjigjen thirrjes së ndërkombëtarëve që detyrat t’i ushtrojnë nga zyrat alternative.
Tani Zeqiri ka thënë se mandatin do ta ushtrojë nga objekti komunal, në hyrje të të cilit janë vendosur edhe simbolet e shtetit të Kosovës.
“Do të kthehemi së shpejti edhe pse kemi filluar edhe më përpara me disa zyra atje të cilat kanë qenë të mundshme dhe të përgatitura, sikurse zyra për lëshimin e dokumenteve komunale, por jo të gjitha janë në funksion. Pasi të kryen punën Komisioni duke përfshirë edhe zyrën e kryetarit do të fillojmë ta funksionalizojmë secilën zyrë. Ne qarkullojmë në baza ditore aty ku ka nevojë, janë dhe aneks zyrat ku operojmë dhe besojmë së shpejti të vazhdojmë punët gjithandej”, është shprehur ai.
Nga objekti i Komunës së Leposaviqit pati refuzuar të largohet kryetari nga radhët e Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi, ani se prania e tij aty u kundërshtua për disa javë me protesta, në të cilat pësuan kryesisht gazetarët që ishin cak i sulmeve nga protestues të dhunshëm.
Zhurmë nuk pati vetëm në Mitrovicë të Veriut, pas zgjedhjes së kryetarit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, i cili vazhdon ta ushtrojë mandatin nga objekti komunal.