Nisja e punimeve për ndërtimin e shkollës së re në lagjen “Kalabria” në Prishtinë është kundërshtuar nga një banor. Ai ka polemizuar me kryetarin Përparim Rama dhe tha se prona është e tij dhe se për të ka kontest gjyqësor
Ceremonia e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shkollës në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, ka përplasur të martën qytetarët me kryetarin Përparim Rama.
Banori i kësaj lagje, Refik Rafuna, ka shprehur pakënaqësi para Ramës dhe ka kundërshtuar fillimin e punimeve në këtë pjesë të tokës, që, siç tha ai, është në pronësi të tij dhe ndodhet në kontest gjyqësor.
“Kjo shkollë duhet me u ndalë. Ngom ti mua. Hiqe këtë gurthemel, hiqe krejt, ngom ti mua. Ngom ti mu se qetu ma keni pru shpirtin…. Boll kom rreh dorë nëpër dyer të komunës. Ju s’po merrni vesh. 100 herë zyrtarët e juaj më kanë thanë kjo është pronë e jona. O dost ku pronë e jona? Në gjyq e kam”, ka thënë Rafuna.
Kryetari Përparim Rama i kërkoi atij të qetësohet duke thënë se do të veprohet ashtu siç do të vendosë gjykata.
“Po a e ki në gjyq? Atëherë gjyqi e zgjidh këtë çështje. Gjyqi vendos, veç qetësohu, qetësohu”, ka thënë Rama.
Pas kësaj deklarate, Rafuna iu kundërvu sërish Ramës duke i kërkuar llogari për nisjen e punimeve pa një epilog në gjykatë.
“Po gjyqi, po pse ia nise pra ti?!! Po jo jo, pse ia ke nisë ti? Po kontest gjyqësor more është. Këqyre qa po të them, e marr në gjyq, krejt këta keni me e prishë”, ka thënë Rafuna.
Pas kësaj përballjeje, Rama ftoi qytetarin për një takim në mëngjesin e së mërkurës, ndërkaq tha se punimet do të vazhdojnë, pasi shprehu siguri se prona është e komunës.
“Nëse Gjykata vendos që dikush, nëse po them, atëherë normal që kemi mënyra të tjera, pra edhe të shpronësimit, të pagesës, të transferit në një pronë tjetër, mirëpo këtë në bazë të të gjitha dokumenteve që posedon komuna kjo është toka jonë”, ka thënë Rama.
Rama e quajti këtë projekt madhor dhe të shumëpritur, teksa shtoi se sipas kontratës, punimet e shkollës parashihen të përfundojnë për 300 ditë pune.
“Është një lajm i mirë për të gjithë Kalabrinë dhe jo vetëm. Është një lajm i mirë për zona të tjera të kryeqytetit, pse po e them këtë, sepse i ndihmon edhe trafikut edhe komunikacionit sepse prindërit të cilët jetojnë në këto zona nuk kanë nevojë tash me hipë në makina dhe me i çu fëmijët tjetër kund, pra ka me qenë shumë ma sigurt dhe shumë më afër edhe kanë me pasë një nivel të mësimit të një niveli shumë më të lartë”, ka thënë Rama.
Muajin e kaluar, pas shumë kundërshtimesh nga opozita, është miratuar plani rregullues për lagjen “Kalabria”.