Ndonëse janë krenuar me punën e tyre, kryetari i Zveçanit e ai i Zubin Potokut nga radhët e PDK-së, nuk votuan kundër shkarkimit të tyre ne procesin e së dielës. Ata nuk iu përgjigjën votimit me arsyen se ai është nisur me kërkesë të Listës Serbe. Njësoj, shkarkimin e tyre nuk e kundërshtuan me votë as dy kryetarët nga Vetëvendosje që drejtojnë Komunën e Mitrovicës së Veriut e të Leposaviqit.
Kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri, nuk e kundërshtuan me votë procesin e shkarkimit të tyre.
Dy kryetarët nga radhët e PDK-së, që drejtojnë Zveçanin e Zubin Potokun, refuzuan t’i përgjigjeshin siç thanë, kërkesë së Listës Serbe për shkarkim të tyre, ani se në pyetjen se “A pajtoheni ta shkarkoni kryetarin e komunës” do të mund të deklaroheshin me “JO”.
“Jo nuk kemi votuar dhe nuk do të dalim për votim për arsye se Lista Serbe e ka nisur këtë procedurë dhe nuk e shoh të arsyeshme kundër vetvetes me dalë”, ka thënë Ilir Peci, kryetar i Zveçanit.
“Nuk e di a janë dalë, a do të dalin, nuk iu them as dilni as mos dilni sepse as vetë nuk do të dal”, ka thënë Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin-Potokut.
As Zeqiri e as Peci nuk kontribuuan vetë në vazhdimin e mandatit të tyre, ndonëse mburren për punën e përkrahjen që gëzojnë në komunitet.
“Një pjesë e madhe e qytetarëve unë e shoh që në bazë të atyre bile çfarë i kemi informacionet, na preferojnë, na përkrahin, janë të kënaqur me qasjen komunikatave e natyrisht edhe me ato çfarë kemi për t’i ofruar qytetarit”, ka thënë Zeqiri.
“Çdoherë kur kam kandiduar kam fituar. Shpresoj se nëse kandidoj, prapë do të fitoj”, ka shtuar Peci.
Përveç se nuk kanë dalë për votim në asnjërën nga qendrat, dy kryetarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje që udhëheqin Mitrovicën e Veriut e Leposaviqin, as nuk janë deklaruar për media lidhur me procesin e votimit.
Procesi i votimit u kundërshtua në masë të madhe nga serbët lokalë të cilët i janë bindur thirrjes së Listës Serbe për bojkot, ashtu siç i ishin bindur një vit më parë për ta bojkotuar procesin zgjedhor, prej ku i fituan mandatet katër kryetarët shqiptarë.