Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë të Maltës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ian Borg ka kërkuar përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë ditës, kryesuesi i OSBE-së ka takuar presidenten Vjosa Osmani e ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Tani ka takim me kryeministrin Albin Kurti.
“Diskutuam për potencialin e dialogut mes Prishtinë edhe Beogradit, të lehtësuar nga BE-ja, kontributin në sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonit. Përkushtimi në dialog dhe vazhdimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura janë kruciale për të arritur progres. OSBE-ja është e gatshme që të përkrahë përpjekjet e arritura. Kishim po ashtu bisedë shumë të rëndësishme në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Ky mbetet çelës në forcimin e raporteve mes komuniteteve”, ka thënë ai në një konferencë për media të enjten pasdite.
Ai ka thënë se është e nevojshme që të zbatohen Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.
I pyetur nëse Serbia po e shkel Marrëveshjen e Brukselit me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Borg ka refuzuar të komentojë duke thënë se “nuk mund të gjykojë”.
“Nuk jam këtu për të gjykuar kush është duke e respektuar apo jo marrëveshjen. Këshilli i Evropës ka rregullat e veta dhe kur të vjen aplimi, që është javën e ardhshme në Asamble e më pas në maj në Këshillin e Ministrave, në mënyrë demokratike Këshilli merr vendim. Secili vend anëtar do të votojë në bazë të qëndrimeve të tyre”, ka thënë ai.
Kryesuesi i OSBE-së ka kërkuar po ashtu që është që procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri të jetë fer dhe i drejtë.