Arbëri

Kryeshefi i “Trepçës”: Po bëjmë të pamundurën të dalim nga kjo situatë

Minatorët e “Trepçës”

Foto: KOHA

Kryeshefi i Ndërmarrjes “Trepça”, Bashkim Kurti, është shprehur se kanë bërë të pamundur për të dalë nga situata për pagat e minatorëve, duke u shprehur se “askujt nuk i konvenon kjo situatë”.

Kurti ka deklaruar se beson që do të bëhet zgjidhje pasi “sot jemi në ditën e 23-të, ku mesatarisht 250 tonë xehe është dashur të nxirren”.

“Po besoj se bëjmë zgjidhje, meqenëse e kanë marrë shumë seriozisht çështjen që jemi ne si Trepçë por me dalë nga kjo situatë duhet bashkëpunimi i dy palëve. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar, ju kryeni punën e juaj e ne e kryejmë punën tonë. Si menaxhment e kemi bërë të pamundurën për me dalë prej situatës në të cilën jemi. Askujt nuk i konvenon kjo situatë sepse sot jemi në ditën e 23-të, mesatarisht me 250 tonë xehe është dashur me dal mbi 9 mijë ton xehe e që kur i konverton në para, atëherë pagat tona i kishim kryer sot”, ka deklaruar kryeshefi.

Edhe një takim për të mërkurën është paraparë të mbahet një takim mes minatorëve, Sindikatës dhe menaxhmentit.


(Përditësuar 08:15) - Nis takimi i minatorëve të “Trepçës” me Sindikatën për t’i diskutuar pagat

Ka nisur takimi mes minatorëve të “Trepçës” me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve, pas situatës së krijuar për mosekzekutim të pagave.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka deklaruar se po i kërkojnë pagat pasi kanë mbetur pa ushqim.

“Po e kërkojmë pagën, s'po bëjmë politikë, por po e duam pagën. Pagën sepse na kanë mbetur shtëpitë pa bukë e pa ushqim. Kemi ankesa të vazhdueshme nga kolegët tanë”, ka thënë ai para minatorëve.

Minatorët janë në grevë tash e disa ditë për shkak se nuk i kanë marrë pagat e qershorit.

Udhëheqja e ndërmarrjes “Trepça” ka thënë se është duke punuar intensivisht për të gjetur zgjidhje për pagat e minatorëve që t’i kthehen punës në minierën e Stan Tërgut.

Në reagim është thënë se po punohet ngushtë bashkë me Qeverinë e Kosovës për të zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.