Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka reaguar ndaj akuzave të Komunës së Prishtinës, se kompania po saboton. Komuna e Prishtinës ka akuzuar “Pastrimin” se ka sabotuar gjashtë kamionë të rinj dhe nuk ka shpërndarë afro 2500 kontejnerë.
Reçica ka thënë për KOHËN se kamionët janë funksional, porse kanë disa probleme me teknologji.
Ai ka thënë se janë duke operuar me disa kamionë të rinj në mënyrë manuale dhe se presin nga prodhuesi i kamionëve një rikodim të tyre.
“Ky rikodim është i nevojshëm, pasi modeli i kamionëve të rinj nuk e njeh modelin e kontejnerëve që janë në Prishtinë”, tha Reçica.
Sa i përket shpërndarjes së kontejnerëve, ai ka thënë se nuk mund të shkojnë dhunshëm dhe t’i marrin ato nga qendra pa pasur një leje nga Komuna e Prishtinës në mënyrë zyrtare.
“Duhet leje zyrtare e jo vetëm ftesa përmes mediave e konferencave”, tha Reçica.
Në një konferencë për media të enjten drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, tha se ditëve në vijim do të shihen mundësitë se si mund të operohet dhe të nxirret kryeqyteti nga situata.
Ai tha se 2500 kontejnerë të rinj nuk janë shpërndarë dhe gjashtë kamionë janë sabotuar. Ai ka thënë se mund të jetë “lojë politike”.
U tha se gjendja po paraqet rrezik edhe për shëndetin e qytetarëve.
E në një komunikatë për media “Pastrimi” ka thënë se Komuna po i mban peng dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave, duke mos i vënë në funksion për qytetin. Është thënë se dyshohet se po bëhet me qëllim që “t’i dorëzohen më pas një kompanie private, që pritet të operojë me to”.
“Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të kryetarit Përparim Rama. Deklarata juaj, z. Rama, ku paralajmëroni ‘masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë ‘Pastrimi’’ për shkak të dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm’, është një përpjekje e hapur për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar një krizë artificiale”, thuhet në deklaratë.
“Pastrimi” ka thënë se është ndërmarrje publike që i përgjigjet Kuvendit Komunal e jo dëshirave të një individi. Po ashtu ka thënë se “Prishtina nuk është pronë private dhe s’mund të trajtohet si e tillë”.
E sa i përket akuzave për dëmtimin e gjashtë kamoionëve, “Pastrimi” i ka mohuar këto.
“Në prani të kamerave të mediave të ndryshme, ne i kemi testuar dhe nuk janë ndezur dhe ju Komuna jeni dëshmitarë për këtë. Ne ju kemi shkruar email zyrtar që në fillim, duke ju informuar për problemet teknike të kamionëve, sepse duket se ato nuk janë testuar kur i keni blerë dhe kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi disa probleme në sistemin elektronik të kompaktorit dhe se deri më tani, nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme”, ka shkruar “Pastrimi”.
“Pastrimi” ka thënë po ashtu se ka marrë email zyrtar nga Komuna e Prishtinës, vetëm sot pas konferencës për media, ku u është thënë se mund të nisë me shprëndarjen e kontejnerëve.
“Kjo ndodhi vetëm pasi gazetarët ju pyetën në konferencë se pse nuk po i shpërndani kontejnerët. Nuk është më sekret se ju keni vendosur me çdo kusht që menaxhimi i mbeturinave t’i jepet një kompanie private dhe që ‘Pastrimi’ të eliminohet plotësisht. Kjo nënkupton që mbi 900 punëtorë do të mbeten pa punë, por kjo duket se nuk përbën problem për ju. Fondi prej 16 milionë eurosh është shumë i konsiderueshëm dhe, për fat të keq, po trajtohet më shumë si një mundësi për të shlyer borxhe të tjera sesa si investim në shërbime më të mira për qytetarët”, ka shkruar në komunikatë.
