Arbëri

Kryediplomatja austriake: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi përmes dialogut, çelësi për rrugën drejt BE-së

Beate Meinl-Reisinger

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. 

Ajo ka njoftuar të enjten se ka biseduar me homologët e saj nga Kosova dhe Serbia, Donika Gërvalla dhe Marko Gjuriq.

Në bisedën e zhvilluar me Gërvallën, Meinl-Reisinger ka thënë se ka theksuar mbështetjen e vendit të saj për Kosovën dhe përspektivën e saj drejt BE-së. 

“Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ky është çelësi kur bëhet fjalë për rrugën e tyre në BE”, ka shtuar ajo. 
Teksa gjatë bisedës me Gjuriqin, ajo ka thënë se rruga e Serbisë në BE është qëllimi i tyre i përbashkët dhe do të vazhdojnë t'i mbështesin në reformat e nevojshme. 

“Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ky është çelësi kur bëhet fjalë për rrugën e tyre në BE. Gjithashtu theksova rëndësinë e ruajtjes së shtetit të së drejtës dhe nxitjes së një dialogu të vërtetë për të kapërcyer ndarjet në shoqëri”, ka theksuar tutje ajo.