Arbëri

KRU “Prishtina” paralajmëron padi për keqpërdoruesit e ujit

Uji

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “Prishtina”, ka paralajmëruar se keqpërdoruesit e ujit do të procedohen për në Gjykatë e më pas mund të gjobiten ose të dënohet me burg.

Në një reagim të enjten në Facebook, KRU “Prishtina” ka thënë se keqpërdorimi i ujit po ndodh në forma të ndryshme, çka sipas tyre, po rëndon dukshëm furnizimin me ujë të pijshëm.

“Keqpërdorimi i ujit që po ndodh në forma të ndryshme, siç është ujitja e kopshteve, arave, bahçeve, larja e automjeteve etj., e njëkohësisht edhe kyçje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, po e rëndojnë dukshëm furnizimin me ujë të pijshëm. Për këto arsye, çdo person fizik ose juridik që në mënyrë të paautorizuar merr, përdor, devijon, shfrytëzon ose përfiton nga lidhjet ose rilidhjet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, pa lejen ose autorizimin e ofruesit të shërbimeve, do të shkyçet nga rrjeti dhe do të procedohet rasti për në gjykatë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, neni 314(dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite)”, thuhet në reagim.