Arbëri

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja mbyll fushatën e bindur për fitoren në Prishtinë e Podujevë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar tubimet përmbyllëse në tri komuna, bashkë me kandidatët për kryetar. E në fjalimet për secilën, këta kandidatë qenë të bindur për fitore

Me brohoritje të shumta ka filluar tubimi i fundit i fushatës së balotazhit për LDK-në në Prishtinë. E i bindur për fitore është kandidati Përparim Rama.

“14 nëntori është dita që t’i themi po vizionit tonë. T’i themi po zhvillimit që po e pret Prishtinën. Ka ardhur koha të merremi me punë serioze, nuk mund të kalojmë kohë në menaxhimin e krizave. E di që ky vizion është 100 për qind i realizueshëm dhe e vë veten 100 për qind në shërbim të kryeqytetit tonë”, u shpreh Rama.

E ruajtjen e vlerave të Istogut e trajtimin e barabartë të qytetarëve i ka premtuar kandidati për kryetar, Ilir Ferati.

“Sot kërkoj besimin tuaj si njeri i Istogut që ka lind e është rritur me ju. Askush më mirë se ne nuk i di hallet e problemet tona. Askush më mirë se ne nuk e njeh Istogun e askush më shumë se ne nuk e njeh Istogun. Prandaj, le të bëhemi e të vazhdojmë të jemi bashkë për t’i ruajtur vlerat tona. Të bëhemi bashkë për Istogun për të gjithë pa dallim”.

Një rikthim në shtëpi e ka cilësuar Lumir Abdixhiku tubimin përmbyllës të LDK-së në Istog, ku, sipas tij, fitues i garës së balotazhit për këtë komunë është Ilir Ferati.

“Të dashur banorë të Istogut, kjo ringritje e LDK-së s’është e plotë pa fitoren në Istog. Siç po e shoh sot mendja qenka nda, me ilir Feratin kryetar. Ai ka bashkudhëtuar me ju çdo ditë, i ka dëgjuar hallat e juaja për një komunë më të mirë. Në këtë bashkudhëtim, siç e ka traditë familjare, Iliri ua ka dhënë besën se do të jetë këmbëngulës që do ta udhëheqë Istogun me dinjitet, sepse ju e meritoni një trajtim të tillë”, deklaroi Abdixhiku.

Në një tubim të fundit para heshtjes zgjedhore, për diasporën e Podujevës pati premtime kandidati për këtë komunë, Ekrem Hyseni.

“Në programin tonë diaspora i ka disa pika, që përbën një zyrë për diasporën, që do të udhëhiqet nga ta. Kjo zyrë do të ketë rol për ruajtjen e traditave dhe kulturës. Po ashtu diaspora do ta ketë edhe sheshin e tyre të ashtuquajtur Sheshi i Diasporës”.

Fushatën me premtime për projekte të ndryshme e ka përmbyllur edhe kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.