Investime milionëshe kanë premtuar kandidatët për kryetar të komunave, në të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës është në balotazh. Lutfi Haziri premtoi impiant të ujërave të zeza në Gjilan, Përparim Rama premtoi 15 milionë euro në projektin për lidhjen e “Kalabrisë” dhe “Dardanisë” në Prishtinë e Behxhet Xheladini premtoi ndryshime rrënjësore në Dragash
Se Dragashi do të bëhet një prej qendrave kryesore të turizmit qe premtimi kryesor i Lidhjes Demokratike. E kjo sipas liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të arrihet me Behxhet Xheladinin në krye.
“Doktor Bexheti do të qeverisë me plot dinjitet, e rezultatet e arritura të tij do të jenë të prekshme qysh në ditët e para. Me dinjitet, meqenëse e dinjitetshme është e gjithë veprimtaria e tij jetësore. Të nderuar qytetarë, komuna juaj ka nevojë për transformim rrënjësor. Fokusi i Xheladinit do të jetë në zhvillimin ekonomik, përmirësimi i sistemit shëndetësor e arsimor, si dhe mundësi më të mëdha për rininë. Bexheti ka program për të gjithë banorët pa dallim, ai Dragashin pretendon ta bëjë një prej qendrave kryesore për vizitorët e huaj, dhe do ta bëjë, sepse ka vullnet të mirë me projekte konkrete”, ka deklaruar Lumir Abdixhiku.
E Xheladini premtoi miliona euro investime kapitale që, sipas tij, kanë munguar në Dragash. “Projektin numër një, të cilin do ta bëjmë realitet që nga viti i parë i qeverisjes, është projekti i ujësjellësit për 15 fshatrat e komunës sonë. Projekti i dytë është kanalizimi me sistem të pastrimit të ujërave të zeza në të gjithë territorin e Komunës së Dragashit, projekt që do të kushtojë rreth 6 milionë euro”.
15 milionë euro investim premtoi edhe kandidati për kryeqytetin, Përparim Rama. Sipas tij, projekti i hartuar lidh “Kalabrinë” me “Dardaninë”. Ky për qeverisje ftoi edhe kundërkandidatët t’i bashkohen.
“Jam i hapur që nëse dikush mendon që mundet të ndihmojë këtë çështje, të na bashkëngjitet në këtë pjesë. Po ashtu, kam ftuar publikisht që nëse kanë pjesëtarë profesionistë, të cilët kanë aftësi menaxhimi, kanë aftësi që të menaxhojnë drejtori të ndryshme, atëherë të na i prezantojnë ata, sepse ideja është që të bëhemi së bashku, ta krijojmë një ekip profesionistësh të njerëzve, me të cilët do ta bëjmë ndryshimin e madh që i duhet Prishtinës[...] Jemi të hapur në çfarëdo kohe”.
Një rikthim, nga i cili do të përfitojnë qytetarët u premtua edhe në Podujevë.
“Përkrahjen që na keni dhënë do ta kthejmë te ju me respekt dhe punë përmes një ekipi, i cili është ekip i ri, me vizion të ri, me energji të re, me plane të reja dhe do të jetë gjithmonë në shërbimin tuaj dhe jam i sigurt që do të japim shembull”, u shpreh Hyseni.
Lutfi Haziri që në tri mandate ka udhëhequr me Gjilanin, premtoi një projekt që ai e quajti gjigant, për trajtim të ujërave të zeza.