Arbëri

Kronika Zgjedhore / Hoti: Qytetarët s’ndërrojnë demokracinë me totalitarizmin e VV-së

Më shumë sesa për investime, Avdullah Hoti u ka folur qytetarëve të rajonit të Gjilanit për kundërshtarët e tij politikë.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, e quajti Vetëvendosjen komuniste dhe të orientuar drejt lindjes, nga e cila tha se po u duhet ta ruajnë shtetin.

“Ne po duhet të kthehemi në bazament të shoqërisë tonë evropiane sepse përballë i kemi këta me shamia të kuqe që përpara i kane lidhur në qafë e që janë totalitarë si në kohën e Macedunit”, ka thënë Hoti.

Kurse kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u kërkoi qytetarëve që të bashkojnë votën për LDK-në nëse duan qeveri stabile.

Haziri prezantoi kandidatët për deputetë, derisa u arsyetua kur harroi njërin prej tyre.

“Thonë që e kam memorien e mirë por kam fillu me leshu vena vena”, ka thënë ai.

Pas Gjilanit, Hotin e pritën shumë qytetarë në Kamenicë. E njëri prej tyre në mënyrë më të veçantë.

Kamenicasve, Hoti u premtoi reformë të thellë në arsim.

“Çdo reformë që bëhet të bëhet bashkë me prindërit, bashkë me komunitetin, jo me vendime administrative, por bashkë me qytetarët, me njerëzit e atyre fëmijëve”, ka thënë Hoti.

Garën e së dielës e vlerësoi të vështirë kandidati për deputet, Lumir Abdixhiku, pasi tha se të gjitha partitë janë bërë bashkë kundër LDK-së.

“Sot është e domosdoshme me iu tregu që sot nuk është marre me qenë me LDK-në, marre është mos me qenë me LDK-në”, ka thënë ai.

“Hajvalia” e Prishtinës ishte ndalesa e fundit e Hotit për të mërkurën. Edhe këtu Hoti akuzoi partitë tjera se e kanë lënë prapa kryeqytetin.

E, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është shprehur i bindur se më 14 shkurt do të festojnë bashkë ditën e të dashuruarve dhe fitoren e LDK-së.

“Nuk duron Hajvalia shamia të kuqe, nuk duron të kthehet prapa, andaj unë dua që si gjithmonë të mbështetni erën rugoviste”, është shprehur Pacolli.

Me qindra pjesëmarrës, Hoti mbajti tubim edhe në Viti, ku tha LDK-ja garon në zgjedhje me program e jo me protesta.