Në Istog, fushata nga Bekë Berisha u fillua me pastrimin e lumit të qytetit, ku edhe u premtua që ambienti është në top-prioritetet e tij. Për hapje të fushatës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ishte në Klinë, nga ku premtoi projekte zhvillimore për banorët e kësaj komune
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fushatën për balotazh e nisi në qytetin e Klinës. Me praninë e liderit të saj, Ramush Haradinaj, u tha se zgjidhja më e mirë për Klinën është Zenun Elezaj.
“Në Klinë janë kryer shumë punë, nën udhëheqjen e një kryetari vërtet të mrekullueshëm, jo vetëm një profesor doktor, por një njeri i njohur në shkencë e i respektuar nga kolegët si brenda, si jashtë, por edhe një menaxher i mirë, një udhëheqës i mirë, një kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim partie”, deklaroi Haradinaj.
Ai premtoi projekte të shumta zhvillimore për banorët e këtij qyteti.
“Nuk do ta lëmë vetë Klinën asnjëherë, do të jemi me të me projekte të shumta zhvillimore dhe besoj shumë që qytetarët e Klinës do të bëjnë referendum, tamam ashtu siç dinë”.
E fushatën në Istog, kandidati për këtë komunë, Bekë Berisha, e hapi me pastrimin e lumit të qytetit, duke thënë që prioritet për të mbetet mjedisi.
“Sot, në Istog u shënua hapja zyrtare e fushatës me aktivitetin për një mjedis të pastër për të gjithë. Bashkë me qytetarët dhe bizneset morëm iniciativën për pastrimin e lumit në mes të qytetit. Ky veprim është simbolik e mobilizimit për qytetarët tanë dhe të edukojë brezat e rinj që ta mbrojnë mjedisin nga ndotja. Ndërsa në gjashtëmujorin e qeverisjes sonë pamje të tilla nuk do të shihen më”, ka premtuar Berisha.
Kryetari aktual i Gjakovës dhe njëherësh kandidati për këtë komunë, Ardian Gjini, njoftoi se kanë filluar punime në pjesë të ndryshme të qytetit, projekte të cilat shpreson t’i mbikëqyrë.