Arbëri

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja thyen masat për mbrojtje nga COVID–19 në Podujevë

Në një tubim masiv me qytetarët e Podujevës, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar fitore bindëse, përderisa kandidati për këtë komunë, Ekrem Hyseni, ka folur për misionin e tij. Kandidati i këtij subjekti për kryeqytetin, Përparim Rama, ka takuar banorët e “Tophanës”, të cilëve u ka premtuar zgjidhje të problemeve

Pa maska e pa respektuar masën e distancës është zhvilluar të enjten tubimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë. Një numër i madh qytetarësh kanë dalë në shesh për të pritur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatin për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni.

Për shkak të tollovisë së krijuar, aktivistë e zyrtarë të kësaj partie u detyruan që të krijonin një kordon dhe të hapnin rrugë që të vazhdohej ecja e Abdixhikut e “Dokut” nëpër sheshin e qytetit.

E kur arritën para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje, aty filluan brohoritjet e fishekzjarrët.

Në tubimin që e theu çdo rekomandim dhe rregull të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Abdixhiku ka kërkuar nga mbështetësit një fitore bindëse në Podujevë.

“Ai sot është shndërruar jo vetëm në një simbol të rikthimit të LDK-së në Kosovë, por të një njeriu në të cilin të gjithë besojmë… Fryma e fitores së LDK-së së Ibrahim Rugovës tashmë është e pandalshme në Llap… Më 14 nëntor të mos kemi vetëm një fitore të thjeshtë, por një fitore bindëse në Llap me doktorin”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndërkaq Hyseni ka folur për misionin e tij për të arritur te secili qytetar i Podujevës.

“Jam thellësisht i emocionuar nga madhështia e pranisë suaj këtu. Prej kur jam nominuar e kam pasur një mision që të arrij në çdo cep të komunës sonë dhe të flas me të gjithë qytetarët dorë për dore… Ju më besuat më 17 tetor, tani na ka mbetur edhe një hap, ai i së dielës së 14 nëntorit, i cili do të jetë edhe hapi i fundit i fitores, hapi i fundit për ta dhënë betimin e kryetarit. Shihemi në mbrëmjen e 14 nëntorit për të festuat fitoren tonë”, ka deklaruar ai.

Fushatën për garën e balotazhit e ka vazhduar edhe kandidati për kryetar të Prishtinës nga kjo parti, Përparim Rama. Ai ka takuar banorët e lagjes “Tophane”, të cilëve u ka premtuar se do t’i zgjidhë të gjitha problemet.

“Si pothuajse çdo zonë tjetër e Prishtinës, edhe kjo zonë ka probleme esenciale. Shumë rrugë kanë mbetur të papërfunduara ose nuk janë filluar fare. Krahas problemit të rrugëve, probleme të tjera të kësaj zone janë ndriçimi dhe qentë endacakë. Çdo problem i secilës lagje duhet të zgjidhet, sepse zgjidhja nënkupton lehtësim të jetës së secilit qytetar”, ka theksuar Rama.

Ndërkaq në Junik, kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa ka zhvilluar takime me banorët e kësaj komune.