Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, vizitoi pesë komuna në veri-perëndim të Kosovës. Në rajonin e Dukagjinit, Hoti u zotua se do t’i mbështesë ekonominë dhe turizmin. Derisa tha se gjatë këtij viti kosovarëve do t’u hiqen vizat dhe u shpreh i bindur që sivjet përmbyllet dialogu me Serbinë
Pejë/Istog, 4 shkurt - Qindra simpatizantë të LDK-së, pa maska e pa respektim të distancës, i dhuruan Avdullah Hotit, një tortë për ditëlindjen e tij të 45-të, me urimin që të bëhet kryeministër, gjatë aktivitetit të tij parazgjedhor në Pejë. E kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së premtoi heqjen e vizave e edhe përmbylljen e procesit të dialogut me Serbinë brenda këtij viti.
“Ne do ta përmbyllim vitin 2021, e them me besim të plotë, me liberalizim të vizave sepse neve na besojnë qeveritë e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian që udhëhiqen prej partive që janë familje politike e LDK-së, Partive Popullore Evropiane. Ne do ta përmbyllim dialogun me Serbinë pa e cenuar integritetin territorial të vendit, pa e prekur karakterin unitar të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti, në takimin me mbështetës të tij, në ditën e dytë të fushatë zgjedhore.
Qytetarët e Pejës ai i siguroi se do të përfundohet projekti i premtuar prej vitesh për qendrën turistike “Borea”, si dhe ndërtimi i autostradës Kijevë - Zahaq. U paralajmërua edhe rishikimi i planit kombëtar për Bjeshkët e Nemuna.
Derisa foli për dialogun me Serbinë, Hoti thumboi kundërshtarët politikë, Ramush Haradinaj e Albin Kurti.
“Dy kryeministra para meje nuk kanë guxuar të merren me atë punë. Njëri e ka vendosur një taksë 100 për qind që e izoloi veten dhe shtetin, e tjetri shihte fiksione të ndryshme për harta e thika”, shtoi Hoti.
Ndërsa, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kërkoi që e gjithë mbështetja më 14 shkurt të drejtohet kah LDK-ja.
“Prania juaj kaq e madhe më bën të besoj në përkrahjen tuaj të madhe dhe do të vazhdojmë me punën tonë edhe në të ardhmen, sepse vota juaj për LDK-në është votë për Pejën, është votë për Gazmendin. Këtu ku jemi sot na ka sjellë koncepti ynë politik, puna e mrekullueshme e aktivistëve tanë, mbështetja e atyre që kurrë nuk e humbën besimin te ne. Mbështetja e atyre që besojnë në zhvillimin e këtij vendi”, është shprehur Muhaxheri.
Para Pejës, Hoti u ndal në Istog, komunën prej nga vinte themeluesi i LDK-së dhe ish-presidenti Ibrahim Rugova. Zhvillimi i turizmit ishte një nga premtimet e tij për qytetarët e kësaj komune.
plan konkret për të gjitha bjeshkët e bukura nga Istogu, Peja, Deçani deri te bjeshkët e Junikut, për t’i integruar të gjitha qendrat turistike, bujtinat dhe hotelet e ndryshme dhe për t’i lidhur me bujqit, fermerët e ndryshëm në këto bjeshkë. Jemi duke i analizuar statistikat për blegtorë të ndryshëm në këtë bjeshkë dhe ju garantoj që në një periudhë të shkurtër do ta shtojmë numrin personave që merren qoftë me bujtina, qoftë me blegtori”, tha Hoti.
Kurse, kryetari i Istogut, Haki Rugova, ka thënë se vetëm LDK-ja mund ta zhvillojë shtetin.
“Mos ta rrezikojmë shtetin, e kemi krijuar me mund dhe Lidhja Demokratike është ajo që nuk lejon ta rrezikojë. Jeni ju qytetarë që do ta votoni LDK-në, prandaj janë edhe kandidatët tanë në listë që janë përgjegjës. Kundërshtarët tanë po na thonë shpesh që është vjetruar LDK-ja, nuk është vjetruar, këta janë të ri. LDK-ja është e të gjithë brezave, e të rinjve”, theksoi Rugova.
Sikurse në Pejë, masat anti-COVID nuk u zbatuan as në Istog. Afër vendeve ku zhvilloheshin tubimet kishte policë, por ata nuk reaguan duke lejuar shkeljen e masave në fuqi. Vendimi i vetë Qeverisë “Hoti” kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 ndalon grumbullimin e më shumë se 30 personave në ambiente të mbyllura, kurse nuk lejohen mbi 50 persona në ambiente të hapura. Të enjten, Hoti vizitoi edhe Klinën, Deçanin dhe Junikun.