Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Haradinaj i bindur në fitoret e kandidatëve të AAK-së

Tubimet përmbyllëse të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u mbajtën në Gjakovë, Istog, Junik e Rahovec. Nën premtime të shumta e akuza ndaj kundërkandidatëve u zhvilluan këto takime me qytetarët. Mbështetje atyre në ditën e fundit u dha edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Në tubimin përmbyllës të fushatës së balotazhit, kandidati për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, e filloi me kritika ndaj kundërkandidates së tij. Gjini tha se do ta çlirojë Gjakovën nga ide të ndarjes.

“Ka njerëz që dalin diku e thonë që duhet me e çliru Gjakovën. A e dini se prej kujt dojnë me e çliru Gjakovën?! Prej meje. S’kanë qysh me e çliru se unë jam këtu me ju. Në fakt, Gjakova ka nevojë me u çliru edhe pak prej njerëzve oportunistë që vijnë kohë pas kohe e i bëjnë njerëzit me u nda. Prej kësaj gati është me u çliru na duhet veç edhe pak që mos me u kthy në Gjakovë ide të tilla”, deklaroi Gjini.

I bindur për fitore, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me kandidatin për kryetar, Agron Kuçi, i dhanë fund fushatës në Junik.

“Kur do populli, do Zoti. Ata që mundohen ta prishin këtë të drejtë në mënyra të tjera gabojnë. Ky është vend i vogël, ju jeni një familje. Unë e di se ashtu që ju shoh sot, ju do të fitoni bindshëm. Por fituesi e ka obligim të sillet përgjegjshëm, me respekt dhe të mos bëjë diskriminim. Me ju dhënë të gjithëve meritën që parasheh ligji. Po ashtu, edhe ne që e ndiejmë Junikun, e kemi për obligim që ta përkrahim Junikun, me projekte zhvillimore”, u shpreh Haradinaj, ndërsa që kandidati Kuçi premtoi zhvillim të qëndrueshëm lokal.

“Ne do të ndërtojmë në gjithë sektorët e jetës publike për zhvillim të qëndrueshëm lokal, për të krijuar vende të reja të punës. Kjo është fitore për mijëra junikas. Unë jam shumë i vendosur dhe i përkushtuar maksimalisht që të jem kryetar i të gjithëve. Këtë nuk mund ta vendosim vetë, por të bashkuar për një Junik rural dhe urban, ku secili prej nesh gra e burra, vajza e djem, për një Junik të prosperuar, i cili është edhe amanet i paraardhësve dhe pasardhësve, ky është obligimi ynë sot dhe nesër”, ka thënë Kuçi.

E në tubimin përmbyllës në Istog, Ramush Haradinaj falënderoi një kategori të veçantë të shoqërisë.

“Më vjen mirë që edhe sot po bëhemi bashkë për diçka shumë të mirë, për ma të mirën të mundshme, me i dhanë Istogut një qeverisje që është e re, që ka vlera, që është e juaja dhe e cila si dikur e bashkon Istogun me vlerat qeverisëse më të mira që i ka Kosova. Ju dikur keni ditur me e bashku Istogun me vlerat e lirisë. Unë kam ardhur me ju kërku jo ndihmën e juaj, por punën tuaj”.

Tubime përmbyllëse janë zhvilluar edhe në Rahovec.