Arbëri

Kroati i Vërnezit me Titon e KFOR-in në zemër

Ani pse kujtesa i mjegullohet, banori i vetëm i fshatit Vërnez, 90-vjeçari kroat, Petar Periç, ndihet krenar kur tregon se ka lindur e është rritur në Kosovë. Thotë se para shumë vjetësh u detyrua dhunshëm që bashkë me familjen të largoheshin për në Kroaci. Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kroatët e Kosovës kanë përjetuar disa valë të persekutimit nga shteti i Serbisë. Petar ishte ndër të rrallët që nuk qëndroi përgjithmonë në Kroaci. Thotë se dëshira e vetme e tij ishte të kthehej në tokën e vet në Kosovën e çliruar

Florinda Abazi

Fshati Vërnez i Vitisë ka një banor. Ai është 90 vjeç. Është kroat dhe me asnjë kusht nuk pranon ta lëshojë vendlindjen. Quhet Petar Periç. Jetën thotë se do ta jepte për tokën e tij dhe për Titon. E ka gëzuar çlirimi i Kosovë e kur flet për KFOR-in i qesh fytyra.

Rruga që të çon te shtëpia e tij është thuajse e pakalueshme. Një shteg përplot baltë që mund të kalohet vetëm me makinë malore apo me gomar, siç ia kishte bërë Petar sa kishte qenë i ri. Tani që ka hyrë në dekadën e dhjetë ndihet edhe më i lidhur me vendin ku jeton.

“Më parë do ta vrisja veten se që do ta lija dikë tjetër të merrte tokën time”, thotë ai.

Ani pse kujtesa i mjegullohet, Petar ndihet krenar kur tregon se ka lindur e është rritur në Kosovë. Thotë se para shumë vjetësh u detyrua dhunshëm që bashkë me familjen të largoheshin për në Kroaci. Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kroatët e Kosovës kanë përjetuar disa valë të persekutimit nga shteti i Serbisë. Llogaritet se rreth 10 mijë janë përzënë nga Janjeva, Letnica, Vërnezi, Vërnakolla, Shasharja, Zagragja dhe Veselica.

Petar thotë se në Kroaci ka qëndruar me shpresën që një ditë të kthehet në Kosovën e lirë. Nuk e mban mend saktë për sa vite kishte qenë në Kroaci, por thotë se e kishte ndier që nuk përkiste atje.

“Unë kam shkuar në Kroaci, pastaj jam kthyer këtu. Ta ruaj shtëpinë, ta ruaj pasurinë time”, thotë Petar i emocionuar dhe duke treguar se nuk e dinte kur është kthyer, por mban mend se Kosova tashmë ishte e çliruar.

Sipas të dhënave të Ambasadës së Kroacisë në Prishtinë, paraardhësit e Petar Pericit dhe kroatëve të tjerë në Kosovë janë vendosur në këto treva para më shumë se gjashtë shekujsh.

“Kroatët në Republikën e Kosovës kanë origjinë nga tregtarët dhe minatorët e Dubrovnikut dhe nga Bosnjë-Hercegovina fqinje. Ata u vendosën në Kosovë përgjatë shekullit katërmbëdhjetë. Duke arritur të ruajnë identitetin e tyre kroat, si edhe besimin katolik gjatë gjithë këtyre shekujve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Të dhënat që ka siguruar Ambasada dëshmojnë edhe se dëbimi që i është bërë këtij komuniteti viteve nëntëdhjetë ka lënë gjurmë të parikuperueshme për ta.

“Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 1991, në Kosovë kanë qenë 8,161 kroatë. Në vitin 1998 është llogaritur të kenë qenë 1,800 kroatë brenda Kosovës. Në vitin 2011 kanë qenë 400 kroatë, kurse sot llogaritet që janë rreth 135 prej tyre që jetojnë në Kosovë. E në Letnicë janë kryesisht popullatë e moshuar”.

Sipas raportimeve të mëhershme në KOHA, vetëm rreth 50 kroatë ia kishin dalë të qëndrojnë në Viti e rrethinë gjatë viteve nëntëdhjetë. Sot sipas Ambasadës në atë rajon janë vetëm 15 kroatë.

Petarit i kujtohet që kur ishte kthyer nga Kroacia, Vërnezi i ishte dukur si një fshat fantazmë. Vetëm ndonjë shtëpi aty-këtu mbante ndonjë njeri brenda. Fushat kishin mbetur ashtu të shkreta, e të papunuara. Bile edhe zëri i kishës së Letnicës, që është pak kilometra larg fshatit, e shihet nga ana tjetër e shtëpisë së tij, kishte një këmbanë më të zbehtë. Peric thotë se kur ishte kthyer, nuk e kishte njohur shtëpinë e tij, nën çatinë e së cilës më parë kishte jetuar bashkë me gruan dhe vajzat.

Petar thotë se atë ditë, përveç ajrit të Kosovës së lirë, s’kish asgjë tjetër të mirë aty. I vetëm e pa askënd. Mungonin gruaja e vajzat e tij, që nuk pranuan të kthehen nga Kroacia. As fqinjët përreth tij s’ishin. Shumica prej tyre ishin larguar në shtetin kroat bashkë me të e nuk ishin kthyer më ose ishin zhvendosur në Viti a gjetiu.

Pragu i shtëpisë nuk ishte më i njëjti. Gjësendet brenda shtëpisë ose mungonin ose ishin dëmtuar. Kishte vite prej se aty nuk kishte shkelur këmba e njeriut.

I mungojnë vetëm njerëzit

Sot Peric vazhdon t’i vuajë pasojat e asaj gjendjeje. Ai bën një jetë të vështirë, pa kushte elementare e pa njerëz të tjerë në afërsi. Ka një shtëpi kasolle. Në të një shtrat të shtrembër çeliku, një frigorifer të zbrazët e një shporet të prishur. Një nxehëse ia kishte çuar dikush kur moti kishte nisur të prishej. Dhoma ishte e errët edhe në mes te ditës e myku e kishte kapluar gjithandej. Nëpër dyshemenë e betontë e të përlloqur shpërndaheshin konzerva e kanaqe të zbrazëta.

Në shtëpi nuk ka tualet e as ujë. Flokët e palara e të pakrehura, mjekrra e gjatë dhe e bardhë, duart e nxira e rrobat përplot njolla, tregonin që kroati i Kosovës kishte një kohë të gjatë që s’e ka parë ujin.

Por nuk janë këto problemet që e mundojnë atë. Petar ka një brengë më të madhe. I trishtuar thotë se nuk e viziton askush, se nuk ka komshinj e as bashkëfshatarë. Njerëzit që i hapin derën herë pas here janë ata që i sjellin ndonjë ndihmë.

Gjatë gjithë kohës, kasollen e ndan me brejtës, që jo rrallëherë ia hanë edhe atë pak ushqim që e posedon.

“Kam frikë se do të vdes dhe askush nuk do ta shohë trupin tim me ditë të tëra”, thotë ai.

Teksa rri duke përsëritur shprehjen “jetë e zezë”, thotë se sa ishte i ri e i fuqishëm e punonte tokën e mund t’i dilte vetes zot. Tani, thotë që pika më e largët që mund ta arrijë është pak përtej derës, sepse pleqëria ia ka vështirësuar jetën edhe më shumë.

“Kur jam i sëmurë shtrihem në shtrat dhe qaj”, thotë Petar.

E kur errësira bie mbi fshat, ndjenja e vetmisë dhe frikës i shtohen. Në krye të shtratit të çeliktë, aty ku i bie më afër dorës, mban një sëpatë dhe dy thika të gjata e të mprehta. Thotë që me to do të mund të mbrohej nga kafshët e egra. Kohë më parë nga ujqit kishte humbur “shokun” e tij të vetëm.

Petar rikthen kohët kur kishte shkuar shpesh në Viti për të blerë gjësende që i duheshin. Tregon se ka pasur shumë dëshirë të blente fidanë për t’i mbjellë në tokën e vet. Në këtë punë i ndihmote gomari i tij si për transport ashtu edhe për t’i bërë shoqëri.

Pikëllimi e kaplon kur flet për të dhe për fundin e tij. Për Petarin ky kishte qenë edhe fundi i një jete të pavarur dhe ai kishte ardhur nga ujqit.

“S’harroj kur e kam parë që gomari nuk është. E di që ka qenë një moment shumë, shumë i vështirë në jetën time”, tregon ai.

Deri në vitet nëntëdhjetë, banorët e kësaj ane, të Letnicës, Vërnezit e Vërnakollës, i jepnin gjallëri kësaj ane. Aty punohej toka dhe kishte edhe lokale biznesore. Letnica njihej si kryeqendër e kësaj ane, e cila gjithashtu kishte edhe një numër më të lartë të popullsisë kroate. Sipas tyre, aty është zhvilluar një tregti mjaft e pasur. Ka pasur shitore, kafene e është zhvilluar edhe pazari. Siç thonë ata, pazari i Vitisë ka qenë i pari, ndërsa ai Letnicës i dyti. Në këtë fshat, para 1990-s ka ekzistuar edhe fabrika e tekstilit, në të cilën kanë qenë të punësuar 400 punëtorë. Ndër ta, shqiptarë e kroatë.

Kjo fabrikë e fqinjësia nuk kanë qenë shembujt e  vetëm të raporteve të mira midis shqiptarëve dhe kroatëve. Sepse sipas historisë, marrëdhëniet e tyre kanë qenë gjithherë stabile dhe të forta. Bile thuhet se edhe qëllimet përherë i kanë pasur të përbashkëta. Të mos lëshojnë tokat e tyre. Edhe atëherë kur po përballeshin me represionin dhe dhunën serbe.

Jashtë realitetit

Koha për Petarin ka ndalur në periudhën e ish-shtetit jugosllav. Zor e ka të gjendet në realitetin e ri. Izolimi, kushtet e rënda dhe mosha e shtyrë kanë ndikuar që shpesh ta humbë orientimin në kohë. Sa rrëfen për jetën e tanishme, kalon edhe nëpër histori. Admirimi për udhëheqësin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, është ende i gjallë në brendësinë e tij.

“Për Titon e jap jetën”, shprehet ai.

I izoluar nga krejt çka ndodh përreth tij, Petari përveç nostalgjisë për idhujt e së kaluarës, derën e zemrës ia ka hapur edhe dikujt tjetër – pjesëtarëve të KFOR-it.

Përfaqësues të këtij misioni shumë herë e kanë vizituar të moshuarin kroat. I kanë ofruar ndihma humanitare si dhe janë përpjekur t’i gjejnë zgjidhje për ta larguar nga jeta e vetme në fshat. Kur flet për ta, i shndrisin sytë.

“Këtë shporet e kam nga KFOR-i amerikan”, thotë kroati duke bërë me dorë kah shporeti, të cilin e kishte mbuluar shkrumbi.

Ai shpjegon se si përfaqësuesit e KFOR-it shumë e shumë herë i kanë kërkuar dhe e kanë lutur që të largohet nga aty. I kanë ofruar ta zhvendosin për një jetë më të mirë dhe të shëndetshme. Por, nuk ia kanë dalë t’ia ndërrojnë mendjen. Petari nuk vë asgjë para tokës së tij.

Ndihma nga bamirësit

Por pjesëtarët e komunitetit kroat nuk janë të harruar kur bëhet fjalë për mbijetesën e tyre. Ambasada e Republikës në Kroaci i ka thënë KOHËS se është në dijeni dhe kujdeset për komunitetin e vogël kroat në Letnicë (15 prej tyre) si dhe në Janjevë (rreth 120 individë).

“Zyra Shtetërore për Kroatët jashtë vendit në bashkëpunim me Ambasadën ofron mbështetje financiare dhe aspekte të tjera për kroatët e Kosovës përmes projekteve të ndryshme”, thuhet në përgjigje.

Ambasada ka bërë të ditur se në Letnicë, e financon Shoqatën Humanitare Kroate “Narodna Kuhinja Letnica”, për t’u siguruar pjesëtarëve të komunitetit kroat shujta ditore.

“Përveç kësaj, në Janjevë ne financojmë shumë projekte të ndryshme që synojnë ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore”, thuhet në përgjigje.

Por Petari flet edhe për pensionin që merr nga shteti i Kosovës, si dhe të një tjetër pensioni nga Maqedonia e Veriut ku kishte punuar një periudhë. Mirëpo, këto të ardhura thotë se nuk di t’i menaxhojë. “Për zotin kanë paguar”, thotë ai.

Por kur flet për të ardhurat, Petari tregon se i ka inat disa njerëz që herë pas here shfaqen në atë zonë. Mllefi që ka ndaj tyre i shpejton frymëmarrjen. Thotë se nuk e di kush janë këta kalimtarë, por ajo që di është se e bëjnë të ndihet keq dhe i shkaktojnë dëme. Ai pastaj flet edhe për vizitorët e tjerë të mirë, përpos ushtarëve të KFOR-it.

Edhe organizatat bamirëse të Kosovës nuk e kanë braktisur, duke i sjellë ndihma të ndryshme humanitare, si: veshmbathje, ushqim, ujë e gjësende të tjera elementare për jetesë.

Njëra nga to madje e çoi edhe ekipin e KOHËS deri te shtëpia e kroatit nëpërmjet shtegut që mund ta kalonte vetura e tyre e fuqishme e terrenit. Halit Alidema, përfaqësuesi për Anamoravë i Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”, shpjegon që ka disa vite prej se e dinë këtë rast dhe sistematikisht i dalin në ndihmë.

“Ne te kjo familje ofrojmë ndihma ushqimore. Meqë ka brejtës të shumtë, përpiqemi që ushqimin t’ia sigurojmë në formë konservash”, ka thënë Alidema. Ai ka rrëfyer se Petar Peric jeton që shumë vite në këtë fshat dhe është krejtësisht i vetëm.

“Para se të zhvendosej në Kroaci ka jetuar me gruan dhe vajzat e tij, por ku u kthye në Kosovë ato nuk iu bashkuan”, ka treguar ai.

Thotë se kanë informata se gruaja e tij ka vdekur para disa vitesh, ndërsa vajzat janë martuar në Kroaci dhe kanë shkëputur çdo kontakt me babain e tyre.

Gjithashtu, Alidema bëri me dije se kjo shoqatë ka bërë çmos që Petar Pericin ta largojnë nga aty dhe ta dërgojnë në një vend më të mirë, mirëpo me asnjë kusht nuk ka pranuar të lëshojë truallin e vet.

Në mbyllje të rrëfimit, Peric, tregon se tani nuk ka asnjë dëshirë. Thotë që nuk ka as ëndrra. Dëshira e fundit që thotë se e ka pasur, i është plotësuar. E ajo ka qenë kthimi në vendlindje. Por megjithatë, ajo i ka kushtuar.

“Po e zezë është dëshira ime. Pa njerëz nuk ka gëzim.”