Arbëri

Kritikohet presioni ndërkombëtar - marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele ekziston prej 2013-s

Aksioni policor për mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri ka nxitur kritikë ndaj Qeverisë për përkeqësim real të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Njohës të çështjeve politike e kualifikuan të pakuptimtë këtë reagim, teksa thanë që veprimi ka qenë në përputhje me marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit. Megjithëkëtë, ata kërkuan që krahas vendosjes së rendit e ligjit në veri, Qeveria t’i ruajë raportet e mira me ndërkombëtarët. E në Qeveri nuk u dhanë përgjigje kritikave

Vazhdimësi të trysnisë mbi Kosovën e kualifikuan njohësit e çështjeve politike, paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara për përkeqësim real të partneritetit me Qeverinë e Kosovës, pas aksionit policor për mbylljen e komunave paralele serbe në veri. 

Aksioni i së premtes u dënua nga faktori ndërkombëtar si tjetër veprim i pakoordinuar i Qeverisë, që rrezikon t’i përshkallëzojë panevojshëm tensionet dhe ta minojë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme.

Këtë reagim, profesori i shkencave politike, Basri Muja, e vlerësoi të pakuptimtë, pasi tha që veprimi është në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të vitit 2013 e 2015. 

“Është një reagim i padrejtë, i pakuptueshëm, për mos me thënë është një hipokrizi, sepse fatkeqësisht, jo për herë të parë prej Kosovës po kërkohet që të mos i implementojë marrëveshjet të cilat janë sponsorizuar nga BE-ja dhe të cilat janë marrë në Bruksel. Ndoshta për përkujtim, marrëveshja për shuarjen e strukturave paralele në Kosovë daton diku prej vitit 2015, pra 9 vite është toleruar”, ka thënë Muja. 

Me këtë pajtohet edhe profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, që thotë se shuarja e strukturave paralele duhej të ndodhte prej kohësh. 

“Kosova dhe Serbia prej kohësh janë pajtuar që strukturat paralele që kanë ekzistuar në Kosovë dhe kanë qenë tepër të fuqishme dhe janë të përgjegjshme për një mori krimesh të kryera në territorin e Kosovës, të mos ekzistojnë më. Natyrisht kjo marrëveshje duhet që zbatohet sikundër që duhet të zbatohet secila marrëveshje tjetër e arritur në këtë proces”, ka thënë Imeri.

Me gjithë kritikat, Muja e Imeri thonë se krahas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri, Qeveria duhet t’i ruajë marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. 

“Qeveria e Kosovës të përpiqet maksimalisht që të koordinohet me shtetet mike, të cilat, dorën në zemër, kanë pasur një rol krucial në çlirimin dhe pastaj shtet ndërtimin e shtetit të Kosovës, porse këto dakordime nuk guxojnë me asnjë çmim të bien ndesh me interesat vitale të RKS-së, pra me shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në secilën pjesë të Republikës”, ka thënë Muja. 

Edhe Imeri kërkon që veprimet e që i ndërmerr në kuadrin e forcimit të rendit dhe ligjit, Kosova t’i ushtrojë krah nevojës për të ruajtur partneritetin strategjik që e ka me vendet që e kanë mbështetur dhe që duan ta mbështesin edhe në të ardhmen.

“Prandaj Kosova në këtë mes duhet që të tregohet besnike ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe në të njëjtën kohë të arrijë që të ruajë rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Imeri. 
KOHA pyeti në Qeveri lidhur me kritikat pas aksionit, porse nuk mori përgjigje.

Në aksionin e së premtes u mbyllën pesë komuna paralele që vepronin në të ashtuquajturin Qarkun Administrativ të Mitrovicës, ku përfshihen komunat e Mitrovicës, Zveçani, Zubin-Potok dhe Leposaviq, e të cilat dyshohet se lëshonin dokumentacion të falsifikuar.

Këto struktura kanë operuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës, më 1999. Ato nuk kanë pushuar aktivitetin as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008 e as pas marrëveshjes për shuarjen e tyre të arritur në prillin e vitit 2013 në kuadër të dialogut.  

Kryesisht në krye të këtyre organeve serbe, kanë qenë njerëzit e njëjtë që kanë drejtuar komunat e dala nga zgjedhjet e Kosovës.