Në Komisionin për Financa Publike ka qenë i ftuar sot ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Latifi në momentet e fundit ka vendosur të mos marrë pjesë, shkaku i një vizite në Spitalin e Mitrovicës.
Komisioni ishte paraparë të shqyrtonte raportin e auditimit për pasqyrat financiare të MSH-së për vitin 2021.
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se para dy orëve kanë marrë informatën se ministri nuk mund të vijë.
“Ndonëse ju kemi dhënë datat alternative, ministri me email e kishte konfirmuar prezencën, sot ministri ka vendosur me vizituar Spitalin e Mitrovicës e nuk vjen në Komision e nuk vjen as zëvendësja e tij e parë. Ka thënë se do të vijë zëvendësja e dytë”, ka thënë Bajrami, që ka shtuar se raportet për MSH-në do të shkojnë në seancë për shkak të mungesës së krerëve.
E deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është hera e tretë që shtyhet seanca. Ai ka qenë kundër të mos diskutohet raporti në Komision.
E deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani ka thënë se në Komision kishin vendosur bashkërisht që të mos diskutohen raportet që janë për MSH-në e kur nuk është vetë ministri.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyçi, ka propozuar që të mos vazhdohet me pikën e rendit të ditës në mosprezencë të ministrit Latifi.
“Po shihet se nuk ka seriozitet nga ministr dhe po e marrë shqetësuese mosprezencën e tij. Ai është dashur të ishte këtu dhe të diskutohet për çështjet që janë shqetësuese. Nëse nuk diskutohet raporti”, tha Bytyçi.
Në fund anëtarët e komisionit kanë vendosur që raporti i Ministrisë së Shëndetësisë të shkojë në seancë, për shkak të mungesës së ministrit Latifi.