Është kritikuar kryediplomati i BE-së, pas gatishmërisë që ka shprehur për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Serbisë, kryeministri i së cilës mban diskurs të fortë kundër Kosovës dhe tha se nuk do të heqë dorë nga Rusia. Njohës të çështjeve politike në Prishtinë e politikanë ndërkombëtarë e cilësuan absurd qëndrimin e shprehur nga Joseph Borrell
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, është kritikuar të shtunën në Prishtinë pas gatishmërisë që ka shprehur për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Serbisë, pjesë e së cilës janë edhe dy politikanë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Borrell theksoi të premten se mezi pret të bashkëpunojë me këtë qeveri, ndonëse në nisje të mandatit si kryeministër, Milosh Vuçeviq përdori diskurs të fortë kundër Kosovës dhe tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga Rusia.
Njohësi i rrethanave politike, Basri Muja, e quan paradoksal këtë entuziazëm të shprehur nga kryediplomati i BE-së.
“Sado që është deklaratë paradoksale, nuk është që më ka befasuar sepse Borrell prej fillimit ka pasur qëndrim anues dhe nuk është që ka tentuar ta kamuflojë shumë këtë qëndrim të tij, fatkeqësisht siç ndodh shpesh me institucionet e Bashkimit Evropian. Për më tepër, anëtarë të saj (Qeverisë së Serbisë v.j.) janë edhe dy njerëz që janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëri prej tyre është Aleksandër Vulin, i cili njihet si njeriu kryesor i Kremlinit në Beograd”, ka thënë Muja.
Pjesë së Qeverisë së Serbisë është Vulini, i cili është emëruar zëvendëskryeministër, e edhe Nenad Popoviqi, ministër pa portofol.
Vulini është sanksionuar nga SHBA-ja vitin e shkuar për përfshirje në marrëveshje korruptuese që shtynin përpara agjendat politike në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe që lehtësonin aktivitete të Rusisë në Serbi dhe rajon. Në kohën kur u sanksionua ishte në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë. Ndërkaq është konfirmuar se në sulmin terrorist në Banjskë ka marrë pjesë edhe një truprojë e tij.
Po ashtu ai njihet për marrëdhëniet e tij të afërta me Rusinë. Së fundi drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, gjenerali Aleksandër Bortnikov, ia dha një çmim të lartë. Vulin u dekorua me “urdhrin për profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe kontribut në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve serbe dhe ruse”.
Po ashtu, Popoviqi është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për çështje që lidhen me ndikimin e Rusisë në rajon dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.
Njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri, e sheh si shqetësues faktin që BE-ja nuk e ka problem të punojë me njerëz të sanksionuar nga SHBA-ja.
“Kjo qeveri e re në Serbi nuk do të sjellë asnjë ndryshim për aq kohë sa e njëjta përbëhet nga njerëz që janë dëshmuar tashmë si pengues të çdo procesi normalizues mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Imeri. “Prandaj, BE-ja përmes kësaj deklarate ka dëshmuar edhe njëherë se cila realisht është qasja e saj dhe natyrisht kjo më së paku pritet që të prodhojë rezultate pozitive në raport me normalizim e raporteve me Kosovën”.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Bashkimin Evropian për të marrë një vlerësim për përbërjen e Qeverisë së re të Serbisë, por nuk ka pranuar përgjigje.
E, deputetë të vendeve të BE-së dhe një numër i ministrave të Jashtëm e kanë vlerësuar si absurde deklaratën e Borrellit.