E vonuar e për përfitime politike, është vlerësuar akuza që presidentja Vjosa Osmani e bëri ndaj Qeverisë. Një ditë pas adresimit të saj në Kuvend, përfaqësues të opozitës dhe njohës të zhvillimeve politike e shohin deklaratën pa efekt.
Në nivel të ri kanë arritur ndasitë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani pas fjalimit vjetor të saj në Kuvend, kanë vlerësuar njohësit politikë.
Presidentja Osmani të enjten ka theksuar se me ndërkombëtarët është duke u luajtur bixhoz.
“Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet, as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për t’i ruajtur aleancat me partnerët”, u shpreh Osmani.
Ish-ministri i punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili është nënkryetar i Kuvendit nga radhët e PDK-së, tha në emisionin “60 minuta” të KTV-së se kritikat e presidentes janë të vonuara dhe pa ndonjë efekt.
“Kritika e presidentes është e vonuar. Nuk i shërben askujt, pa asnjë qëllim. Ishte një distancim i butë. Dhe në bindjen time të plotë gjatë këtij mandati të qeverisë Kurti vendi nuk ka pasur liderë të cilët do të duhej të balanconin se cilat janë arsyet pse ata i udhëheqin këto institucione”, deklaroi Hoxhaj.
Por, analisti Shkodran Ramadani ka vlerësuar se adresimi i presidentes ka qenë veprim i kalkuluar politikisht dhe se me të synon të dëmtojë partnerin e deritashëm të saj.
Sipas tij, edhe vetë Osmani është hisedare në situatën e krijuar për të cilën e kritikoi kryeministrin Kurti.
“Meqenëse zonja Osmani i ka shpallur publikisht luftë Lëvizjes Vetëvendosje ajo po mundohet që ta dëmtojë sa më shumë politikisht dhe që një numër të konsiderueshëm të votave të cilat VV-ja i mori 2021 nga LDK-ja të kthehen prapë në LDK-ja edhe nëse nuk shkon Vjosa Osmani në LDK”, tha Ramadani.
Osmani është bërë presidente, pasi paraprakisht braktisi LDK-në dhe në zgjedhjet e 2021-s, me subjektin joformal që krijoi, iu bashkëngjit listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.