Vjosa Musliu, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë në Bruksel, ka thënë se reagimet e shteteve të Bashkimit Evropian kundër aksioneve të autoriteteve të Kosovës në veri dhe marrëveshjet e superfuqive evropiane me Serbinë për litiumin, tregojnë se BE-ja tash fokusin e ka në interesat e veta.
Të premten shtetet kryesore të BE-së kritikuan Kosovën për “veprime të njëanshme” për mbylljen e strukturave paralele në veri. Këtë javë, disa prej tyre nënshkruan marrëveshje me Serbinë për çështjen e litiumit e Franca vendosi t’i shesë aeroplanë luftarakë. Sipas Musliut, marrëveshja e BE-së me Serbinë është “kthesë e madhe ekonomike, politike dhe e jashtëzakonshme për BE-në dhe me pasoja si negative ashtu edhe pozitive për Serbinë”.
“BE-ja po i ndërmerr veprimet në bazë të interesave të saj... janë në interesa të BE-së”, ka thënë ajo duke shtuar se BE-ja tash ka më shumë prioritet interesat e veta sesa komunitetet që mund të dëmtohen nga marrëveshjet.
Me marrëveshjen për litiumin, sipas Musliut, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka blerë “një lloj amnistie” të shteteve kryesore të BE-së.
Duke marrë për bazë të dyja çështjet, kritikat ndaj Kosovës dhe “përkëdheljen” e Serbisë, Musliu ka thënë se shtohet alarmi edhe më shumë.
Për Qeverinë Kurti, Musliu ka thënë se aktivitetet e saj mund të shihen si realizim i planit për dhënien e substancës së pavarësisë së Kosovës. Sipas saj, megjithatë “këto plane po bien ndesh gjithmonë e më shumë me sponsorizuesit e shtetësisë, të pavarësisë, ashtu në çfarë forme të jetë sot”.
Musliu ka deklaruar po ashtu situata për serbët në Kosovë mbetet fragjile.
Ajo ka thënë se Kosova duhet të rimendojë pozicionimin më gjithëpërfshirës në aspektin e sigurisë, sidomos kur shihet se struktura e fuqishme evropiane do të ndryshojë në mënyrën se si do t’i qaset Serbisë.