Komisioni parlamentar ad-hoc për përzgjedhjen e Bordit të RTK-së, ka përcaktuar kriteret për vazhdimin e procesit të rekrutimit. U kërkua që kujdes i veçantë t’i kushtohet konfliktit të interesit, ndërkohë që u diskualifikuan kandidatët që janë në moshën e pensionimit
Kriteret e përzgjedhjes së Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës janë përcaktuar në Komisionin parlamentar ad-hoc. Në mbledhjen e së premtes temë diskutimi ishte eliminimi i kandidatëve me konflikt interesi. Fitim Uka, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që të mos lejohen të mos kalojnë fazën e përzgjedhjes kandidatët që janë pronarë ose bashkëpronarë të mediave tjera.
“Në bazë të nenit 27, disa prej tyre e kanë të pamundur për me qenë anëtar të Bordit, sinqerisht e di që do të jetë goxha sfiduese në veçanti për pikën 1.6, 1.8 të nenit 27 kur duhet të përcaktohet nëse ka prej tyre, të cilët kanë aplikuar dhe që janë pronarë apo bashkëpronarë të mediave transmetuese apo bizneseve, mandej edhe neni 1.1 për anëtar të familjes së ngushtë që janë në stafin menaxhues, prandaj për ta ruajtur parimin e transparencës unë po shpresoj që do ta kemi edhe një tabelë tjetër prej administratës për secilin kandidat që tregon se si qëndrojnë në raport me nenin 27 dhe me të gjitha nenet e tjera”, tha Uka.
Sipas kryesuesit të komisionit, Armend Zemaj, njoftimi për konkursin e qartëson këtë, porse administrata e Kuvendit është e obliguar t’i njoftojë të gjithë kandidatët për këtë çështje.
“Janë dy dokumente bazike para se të aplikojnë ata të cilët janë të njoftuar. E para ka të bëjë që ju e deklaruat dhe e kërkuat - si të aplikohet për anëtar të Bordit të RTK-së. Të gjitha pozicionet që i përmendët të një kandidati janë të paralajmëruar paraprakisht, e dyta që është më konkrete dhe më koncize është formulari i deklaratës së të vetënominuarit ku pjesa e fundit thotë ‘unë jam plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e nenit 27 të ligjit dhe deklaroj se nuk ka pengesa ligjore për emërimin tim për anëtar të Bordit të RTK-së’. Tash, thënë të drejtën, nuk mund t’ua ndjekim tezet e dajat nëpër RTK ose ndërmarrje të tjera, ata që fshehin bien ndesh me ligjin, besoj që janë të vetëdijshëm e paskan nënshkruar vetë këtë pjesë ligjore”, deklaroi Zemaj.
Përpos kësaj, anëtarët e Komisionit u dakorduan që të diskualifikohen kandidatët që kanë arritur moshën e pensionimit. Propozimi për këtë erdhi nga deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili.
“Administrata vlerësoj se është mirë të bëjë një përshkrim të asaj se çfarë kanë arritur të gjejnë deri tash, jashtë moshës së pensionimit, a ka pasur persona të tjerë kemi mbërri t’i identifikojmë që i përjashton neni 27”, tha Kica-Xhelili.
Neni 27 i Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës e përcakton se kush nuk mund të jetë anëtar i Bordit. Sipas këtij neni, anëtar i Bordit të RTK-së nuk mund të jenë: anëtarët e familjes së ngushtë të stafit menaxhues; ish-punonjësit të punësuar në RTK në dy (2) vjetët e fundit; personat që mbajnë post publik të zgjedhur dhe të emëruar (funksionarët publik) apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) vjetëve të fundit; është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) vjetëve të fundit; është anëtar i organit udhëheqës të ndonjë ndërmarrjeje publike; ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit dhe në RTK në dy (2) vjetët e fundit; të mos jetë i dënuar për vepër penale të dënueshme mbi gjashtë (6) muaj; pronarët apo bashkëpronarët e mediave transmetuese ose bizneseve reklamuese si dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tyre apo edhe të punësuarit në këto media; është i/e angazhuar në aktivitete që mund të konsiderohen të jenë në kundërshtim dhe paraqesin konflikt të interesit siç është përcaktuar me Ligjin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit.
Deputetët e Komisionit do të mblidhen të mërkurën e javës së ardhshme për të diskutuar rreth mënyrës së mbajtjes së testimit dhe intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK-së. Në Komision, po ashtu, u propozua të përdoret modeli britanik i rekrutimit.
Bordi i televizionit publik është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik të 2021-s dhe i riu duhet të fillojë punën më së largu deri më 15 dhjetor të këtij viti.