Arbëri

Kriteret “e ashpra” shihen pengesë që viktimat të përfitojë nga subvencionimi

Subvencionimi i banimit për viktimat e dhunës në familjes, që ofron Komuna e Prishtinës, po përcillet me barriera. Në strehimoren në kryeqytet thonë se viktimat fillimisht duhet që të gjitha shpenzimet dhe procedurat për qiranë t’i mbulojnë vetë. E në Komunë theksuan se procedurat administrative janë të pashmangshme, porse po bëhet përpjekje për t’i lehtësuar ato

Për ta përfituar subvencionimin e qirasë së banimit, që ofrohet nga Komuna e Prishtinës, secila grua viktimë e dhunës në familje fillimisht duhet të gjejë një banesë në kryeqytet, të paguajë vetë qiranë dhe depozitën për të si dhe ta noterizojë kontratën me qiradhënësin.

Në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë e vlerësojnë nismë të mirë nga Komuna ofrimin e subvencionit, por thonë se procedurat aktuale administrative u paraqesin pengesa grave që të përfitojnë nga kjo ndihmë.

Drejtoresha e kësaj qendre, Zana Hamiti, thotë se disa nga rastet që u mungon mbështetja e familjes, nuk mund të arrijnë që t’i mbulojnë të gjitha këto shpenzime.

“Për viktimat që janë ende të strehuara këtu dhe prej strehimores të rregullohet kjo sfidë, po paraqet pak probleme. Patjetër duhet të ketë lidhje të ngushtë familjare që ju ndihmojnë, të kenë mjete që të paktën kur të dal prej strehimores ta paguaj, ju e dini qysh shkon puna me agjencitë e banimit që patjetër duhet edhe depozitë të paguaj për minimumin dy muaj për ta bërë një kontratë. E nëse këto raste nuk kanë një përkrahje nga familjarët e vet që t’ua sigurojë këtë shumë të mjeteve atëherë po mbetet si rast i pazgjedhur”, ka thënë Hamiti

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se aktualisht 14 viktima të dhunës në familje janë duke përfituar ndihmë financiare deri në vlerë 500 euro në muaj. Ajo përfshin 250 euro për strehim, 150 për ushqim dhe nga 50 deri në 100 euro për fëmijë.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në komunë, Adelina Sahiti, ka thënë se procedurat burokratike mund të jenë pengesë për viktimat, por insiston se ato janë të pashmangshme.

“Ne si kryeqytet nuk mund të përzihemi deri në atë masë meqë nuk kemi banesa të tilla për momentin të siguruara, ku ne vetëm do t’i sistemonim, nuk do të kishim nevojë madje as për dhënien apo pagesën e një qiraje, do të kishim në banesat tona në dispozicion si kryeqytet por nuk mund ne të ndërmjetësojmë me agjencitë e patundshmërive apo me pronarë direkt për të ofruar një hapësirë, ku një X viktimë do të mund të sistemohej dhe sigurisht se këto procedura janë që duhet t’i kryejë pala”, ka thënë Sahiti.

Drejtoresha Sahiti është shprehur se procedurat nuk mund të shkurtohen, por se po bëhet përpjekje për t’i lehtësuar ato.

“Si drejtori e ofrojmë mbështetjen për të gjitha kategoritë që vijnë dhe që kërkojnë ndihmesën tonë, qoftë një fjalë e një zyrtari të komunës me ndërmjetësuesin, me agjencinë e patundshmërisë apo direkt te pronari për të treguar që po, paratë nuk mund të sillen në filan datën por pas një muaj apo dy muajsh ato do të dorëzohen të gjitha bashkërisht dhe një zotim, një deklaratë qoftë me shkrim nëse duhet ne këtë e kemi bërë”, ka shtuar ajo.

Për të përfituar nga subvencionimi, viktima e dhunës në familje duhet të referohet nga Qendra për Punë Sociale, të ketë një raport nga Policia dhe dëshminë për urdhërmbrojtje të lëshuar nga Gjykata.

Aktualisht, ato adresë të vetme strehimi kanë Qendrat për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në të cilat ligjërisht mund të qëndrojnë vetëm gjashtë muaj.

KOHA ka raportuar se pas kësaj periudhe, shpesh detyrohen që më pas të kthehen te dhunuesi.