Arbëri

Kreu i Supremes bën thirrje për pavarësi të gjyqësorit, akuzon pushtetin për ndërhyrje në disa raste

Konferenca e gjykatave supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, në konferencën e 14-të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, ka folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale.

Ai ka bërë thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

Më tej, Rexhepi shtoi se ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, si "ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata", për të cilat ka deklaruar se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.

“Pavarësia e gjyqësorit është pa dyshim gur themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e të gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori nuk do ta kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarë do ndikimi, mirëpo garancitë që kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë. Është evidente që pushtetet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur dhe jo pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve e të tjerëve për çështje në shqyrtim në Gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit dhe paraqet presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqtarit. Pa këtë pavarësi vet themelet e shoqërive tona demokratike janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë”, ka theksuar kryetari i Gjykatës Supreme, në konferencën që është organizuar së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani ka thënë se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

“Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në kontekst të dialogut gjyqësor do të vë theks në fjalët e kryetarit Rexhepi përgjatë ceremonisë tuaj në mbrëmjen e djeshme dhe të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të mësuara dhe përderisa kontekstet tona kulturore, historike dhe politike kanë nuancat e tyre të veçanta, kushdo dhe kudo në botën demokratike që vesh tokë gjyqësore priret nga parimet dhe vlerat e njëjta dhe të përbashkëta përfshirë përkushtimin e palëkundur për të avancuar dialogun gjyqësor në mbështetje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, ka deklaruar ajo, raporton KP.
Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer ka theksuar se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

Ndërkohë kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.