Që nga fillimi i muajit, pesë shkolla të fshatrave të Kamenicës që e bojkotuan mësimin për shkak të reformës, po mbajnë mësim plotësues.
Një gjë të tillë e ka kundërshtuar kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati.
Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve të këtyre shkollave të punojnë konform reformave, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tyre nëse nuk pajtohen me kontratën me DKA-në.
“Mësimdhënësit janë të punësuar nga Komuna e Kamenicës. Dhe Komuna e Kamenicës si punëdhënës ai që i jep pagat i cakton edhe rregullat e mbi të cilat ne e kemi nënshkruar një kontratë të punës. Te detyrat e punës, një prej pikave thotë se mësimdhënësit nuk mund të marrin udhëzime nga askush tjetër përveç nga DKA-ja dhe nga drejtorët e shkollave. Krejt kjo po ndërlidhjet me respektimin e marrëdhënies së punës. Unë para se me fillu me marrë masa që më detyron ligji, kam dashtë me ju bë edhe një herë thirrje. Unë e kuptoj nëse dikush e ka një bindje të caktuar dhe mundet me ra në kundërshtim me punëdhënësin, Komunën në këtë rast. Normalisht do të duhej me jap dorëheqje, sepse nuk mundesh me thanë ti që unë po nënshkruaj kontratë që do t'i respektoj të gjitha rregullat dhe që punëdhënës e kam komunën e në anën tjetër mos ta respektosh. Kështu, kjo ka qenë edhe lutja e fundit para se me u fillu edhe procedurat siç e parasheh rregullativa ligjore në Kosovë’, ka deklaruar Qëndron Kastrati, kryetar i Kamenicës.
Deri të hënën, sipas Kastratit, asnjë mësimdhënës nuk ka ofruar dorëheqjen.
E me kërkesën e Kastratit nuk pajtohen udhëheqësi i shkollës “Hasan Prishtina” në Busavatë, që sipas reformës, nxënësit e kësaj shkolle do të duhej të vijonin mësimin në shkolla të tjera.
Madje, ata nuk planifikojnë as të japin dorëheqjen e tyre.
“Ne mendojmë se kërkesa është e paarsyeshme, sepse vendimi i Ministrisë së Arsimit duhet të respektohet nga të gjitha shkollat edhe nga ajo e jona. Jo nuk kemi nevojë me dhanë dorëheqje. Unë punoj qe 25 vjet nuk kam dëgju që një mësimdhënës ka dhanë dorëheqje”, ka thwnw Ismet Maliqi, zv.drejtor i shkollës “Hasan Prishtina” nw Busavatë.
Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard thotë se kërcënimet e tilla duhet të ndalen e të gjendet një zgjidhje.
Mirëpo, Ministria e Arsimit po këmbëngul në mbajtjen e mësimit alternativ.
“Po e bëjmë të qartë edhe një herë që vendimi i Ministrisë synon që përmes mësimit alternativ të përshpejtuar të kompensohen orët e humbura për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (I-V)dhe nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX). Ministria e Arsimit është e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen në ofrimin e kushteve të përshtatshme që të gjithë fëmijëve t’u garantohet e drejta për shkollim”, ka thwnw Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media nw Ministrinw e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
E reforma e filluar rreth dy vjet më parë në Komunën e Kamenicës, është mbështetur edhe me një raport të Institutit GAP.
Sipas tij, në Kamenicë, për dhjetë vjetët e fundit numri i nxënësve ka rënë për 44%, derisa nuk ka pasur ndryshim në numrin e mësimdhënësve.
Në Komunën e Kamenicës, janë 29 shkolla, e 51% e tyre kanë më pak se 70 nxënës.
Gjashtë shkolla kanë më pak se pesë nxënës, gjashtë shkolla më pak se 20 nxënës, dhe tri shkolla kanë më pak se 70 nxënës.