Arbëri

Kremtja e munguar në veri

Qytetarë të Mitrovicës së Veriut janë shprehur se Ditën e Çlirimit nuk po e përjetojnë njëjtë si bashkëkombësit e tyre në jug të Ibrit. Situata politike dhe e sigurisë vazhdon të jetë shqetësim për ta

Fryma e emocioneve, entuziazmit dhe festës në Ditën e Çlirimit nëpër qytetet e Kosovës nuk ka mbërritur të përçohet edhe në Mitrovicën e Veriut.

Situata politike dhe ajo e sigurisë në këtë pjesë të vendit po i pengon banorët shqiptarë në këtë vend që të përjetojnë Ditën e Çlirimit, njëjtë si bashkëvendësit e tyre në jug të Ibrit.

“Pak me rezerva, me emocione jo të mira. Nuk kemi ndjesi të festës për shkak të rrehtnave që ekzistojnë ende në Mitrovicë”, ka thënë Maliq Sylejmani, qytetar i Mitrovicës së Veriut. 
Emir Azemi, qytetar që jeton në pjesën veriore, është shprehur se Dita e Çlirimit për të e shumë të tjerë nuk ishte edhe përfundim i luftës.

“Era e lirisë që mund të ndjehet në Prizren, nuk është e njëjtë në Mitrovicë të Veriut. Ne si shqiptarë në përgjithësi në pjesën veriore të Mitrovicës jemi ballafaquar me telashe dhe mund të them lirisht që paslufta ka qenë një luftë më e madhe se vetë lufta”, ka thënë Azemi.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Mitrovicë, Halit Barani, ka theksuar se Kosova nuk është ende e çliruar Ai pjesën veriore e konsideron ende të okupuar.

“Nuk është çliruar ende, posaçërisht pjesa e okupuar e Mitrovicës të cilën po mundohen ta mbajnë me polici por është e kotë kjo punë, me polici nuk mbahet dhe nuk çlirohet pjesa e okupuar me polici por vetëm me politikë...Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po e mbajnë peng urën e Ibrit”, ka thënë Barani.

Më 12 qershor 1999 në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Komunat në veri” Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin-Potoku e Leposaviqi janë të banuara me shumicë serbe.