Besnik Krasniqi, gazetar i Grupit “KOHA”, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë shpesh shërben si “lavatriçe” për politikanët. Ai është shprehur se për dekada sistemi ua ka mbuluar “njollat” politikanëve.
Krasniqi ka theksuar se gjatë Qeverisë aktuale Prokuroria është marrë më shumë me rastet e korrupsionit.
“Ne po shohim një zell tjetër gjatë këtij mandati të Prokurorisë për t’u marrë me korrupsion. E kisha quajt këtë lajm shumë të mirë nëse nuk i kisha shiku disa statistika. I mora prej shpalljes së pavarësisë deri të Qeveria Kurti, statistikat thonë janë 298 aktakuza kundër 216 politikanëve, pjesa dërrmuese për korrupsion. Nga gjithsej, 109 janë ngritë për zyrtarët qeveritarë. A e dini sa janë dënu prej këtyre 109? Zero. Kjo na tregon se edhe prokuroria, edhe gjykata, edhe hetuesit, kanë shërbyer si lavatriçe në raport me politikanët... Ju kujtohen disa politikanë, kryetarë partish, që nëpër studio televizive çirren thonë ‘unë jam më i pasuri se krejt mekanizmat, kam hy nëpër çdo skaner të drejtësisë, askund asnjë njollë’. Realisht sistemi i drejtësisë për dekada ka shërbyer për t’ua mbulu këto njolla”, ka thënë ai në “Konfront”.
Por, të keqe Krasniqi e sheh parimin që thotë se rasti i gjykuar, nuk trajtohet sërish. Kjo sipas tij, nënkupton se sado i madh një rast korrupsioni, nuk do të trajtohet sërish nëse është gjykuar më herët.
“Më e keqja në këtë është që një parim i drejtësisë thotë që rasti që është gjyku, nuk mundesh me marrë më në trajtim. Për pasojë, sado i madh korrupsioni të ketë qenë deri tash, një rast që është trajtu nuk mund të thuash hajde të hyjmë edhe një herë”.
Gjinovci: Emrat e oligarkëve si Mane e Kastrati asnjë gazetar në Shqipëri s’guxon t’i përmendë
Analisti Rron Gjinovci duke komentuar arrestimin e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka thënë se në Shqipëri nuk guxojnë t’i përmendin emrat e oligarkëve si Saimir Mane e Shefqet Kastrati. Sipas tij, koka në Shqipëri është Mane e jo kryeministri Edi Rama.
“Drejtësinë në një pjesë të madhe në Shqipëri nuk e kontrollon as opozita, as pushteti. Por çka po vërej, nuk është aq e guximshme. Në aktakuzën ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit thuhet se Kryemadhi e ka ndryshuar një ligj në favor të S.M., pra nuk guxojnë t’ia përmendin emrit Saimir Manes. Problemin me Prokurorinë në Shqipëri e kam se nuk është e guximshme, nuk godet aty ku duhet. Koka nuk është as Edi Rama, është Saimir Mane. Emrat si Saimir Mane, Shefqet Kastrati e të tjerë nuk guxojnë me i përmend në Shqipëri as si gazetar, as si prokuror, asnjë media”, ka thënë ai në “Konfront”.
Kabashi: Ka procedurë disiplinore ndaj sinjalizueses në ministri për rastin e ambalazhuesve
Monitoruesi ligjor nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, ka thënë se bazuar në vendimin e gjykatës që është siguruar, thuhet se po ndërmerren masa ndaj një zyrtare që i ka lajmëruar shkeljet e pretenduara në rastin e ambalazhuesve.
“Kemi pasur një zyrtare brenda e ka lajmëruar këtë lloj dukurie e pretendimet që po bëhen këto shkelje në rastin e ambalazhuesve. Po du me shpresu dhe uru, sepse në vendimin e gjykatës që e kemi siguruar si ‘Betim për Drejtësi’ thuhet se po ndërmerren procedura disiplinore ndaj kësaj zyrtare. Po du me uru e shpresu se e njëjta të mos i nënshtrohet procedurave disiplinore se i ka lajmëruar këto shkelje. Të mos jetë rezultat i këtyre procedurave fakti se e njëjta i ka lajmëruar këto parregullsi”, tha Kabashi në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se edhe sinjalizuesi që kishte lajmëruar keqpërdorimet në rastin e rezervave shtetërore, ishte “subjekt i hakmarrjes e suspendimit brenda ministrisë e nga vetë Qeveria”.
“Personi në fjalë ishte persekutuar e suspenduar shkaku i sinjalizimit që kishte bërë te rasti i rezervave shtetërore...Te rezervat kemi pasur procedurë prej kryeministrit, ministritë e komplet komunikimi e koordinimi që të mbulohen të gjitha dokumentet, të kthehen në dokumente sekretet, si sekrete shtetërore. Për të mos pasur qasje në to. Nuk do shumë mend se munden me pasur veprim të një vepre të aferës korruptive”, tha Kabashi.
Krasniqi: Qeveria fali borxhet e ambalazhuesve të ujit në kohën kur ata pranuan ta shlyejnë atë
Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se problemi i faljes së borxhit për ambalazhuesit e ujit e ka burimin te Qeveria Haradinaj. Ai ka thënë se përfaqësuesit e kompanive kishin rëndë dakord që t’iu programohej borxhi, por më pas Qeveria e Haradinajt vendosi për faljen e tyre – vendim që u anulua pas disa muajve.
Sipas Krasniqit, Prokuroria po aplikon standarde të dyfishta për këtë rast.
“Nuk duhet ta anashkalojmë një fakt. Besoj se Prokuroria po aplikon standarde të dyfishta. Vetëm disa muaj para se Qeveria Haradinaj të merrte vendim t’i falte 58 mln euro borxhe të grumbulluara gjatë 10 vjetëve nga kompanitë që merren me ambalazhim uji, përfaqësuesit e këtyre bizneseve ishin takuar dhe ishin pajtuar në Oden Ekonomike që nëse programohet ky borxh, atëherë janë të gatshëm të nisin t’i bëjnë pagesat. Në kohën kur ata u pajtuan t’i shlyenin borxhet, me vetiniciativë, na del një vendim i tillë për falje të borxhit. Nuk ka qenë presioni publik që e ka shtyrë Qeverinë Haradinaj ta anulojë këtë vendim pas katër-pesë muajve, por ka qenë nisma për me çu në Prokurori dhe nisma paralele e LDK-së në atë kohë për ta dërguar në Kushtetuese, pasi 60 milionë euro nuk mund të falen në këtë mënyrë”, ka thënë ai në “Konfront”.
Nëse bizneset do të nisnin të paguanin borxhin siç kishin planifikuar, sipas Krasniqit, kjo çështje tani nuk do të diskutohej.
“Problemi burimin e ka te Qeveria Haradinaj. Nëse bizneset do ta vazhdonin iniciativën për fshirje të borxhit, shteti tash do të kishte 58 mln euro më shumë, nuk do të ishte ky problem dhe për rrjedhojë, do të mund të parandalohej edhe afera korruptive. Por po del që bizneset që e kanë këtë borxh janë goxha të shkathëta, dhe po negociojnë për t’i ikur borxhit”, ka shtuar ai.
Së fundmi, është raportuar se Qeveria Kurti ka vendosur t’u falë borxhin kompanive të ambalazhimit të ujit. Për këtë, partia kryesore opozitare, PDK, kishte thirr seancë të jashtëzakonshme në Kuvend javën e kaluar.
Dakaj: Çështja e ambalazhuesve të ujit është një prej aferave korruptive më të mëdha
Çështja e ambalazhuesve të ujit është një prej aferave më të mëdha korruptive, ka thënë Shkëlzen Dakaj, gazetar i Gazetës “Infokus”. Ai ka treguar për historikun e borxhit që ambalazhuesit e ujit kanë ndaj shtetit dhe tentimit për faljen e borxheve.
“Prej viti 2012 ambalazhuesit ose përdoruesit e ujit që janë kryesisht prodhuesit e lëngjeve dhe pijeve joalkoolike kanë refuzu të kryejnë pagesat duke u thirrë në atë që është kostoja shumë e lartë që është vendosë. Më pas kanë refuzu me pagu, por aktualisht kur e sheh kanë qenë ë të lartat në rajon por sot janë çmimet më të ulëta. E kemi pasur një tendencë në qeverisjen kur ishte kryeministër Haradinaj që tentoi t’i fshijë këto borxhe, t’i falë. E ka tërheqë atë vendim sepse e kemi quajtur të kundërligjshëm. Tash jemi në situatë kur dy zyrtarë të ministrisë kanë vendosë që t’i falin këto borxhe që kapin diku 60 milionë euro. Për me keq ajo që kanë bë këta dy zyrtarë, kanë detyru me bë disa pagesa që janë qesharake dhe që pretendojnë që prej atyre pagesave më nuk mund të kthehet borxhi i akumuluar. Madje këta kanë vendosë në kundërshtim me një raport të vetë ministrisë që i ka identifikuar edhe në këtë ministri kur është Liburn Aliu, që thotë se këto borxhe nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Dakaj ka shtuar se zgjerimi i hetimit deri të ministri Liburn Aliu tregon se ky i fundit ka qenë i njoftuar, madje se me dije ka lejuar të ndodhë ky proces “i kundërligjshëm”. Është shprehur se aktvendimi lë për të kuptuar se edhe ministri ka mundur të fitojë prej milionave që dyshohet se kanë qarkulluar për t’u mbyllur borxhi i kompanive.
“Është një prej aferave më të mëdha, se skandalet ekonomike ose hetimet ose kur ndiqen penalisht nuk ka rëndësi shumë shuma... 60 milionëshi në këtë rast është ndërhyrje direkte e një numri njerëzisht që tash Prokuroria Speciale e përfshu në aktvendimin për zgjerim të hetimeve edhe ministrin Aliu”.