Arbëri

Krasniqi: Shteti ta vlerësojë aktin e guximshëm të Nishorit, rrëfimi i tij do të ndryshojë jetë

Vasfije Krasniqi

Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka thënë se ajo që ka bërë të hënën Ramadan Nishori, burri i parë që ka bërë publik rrëfimin e tij si i dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është më shumë sesa rrëfim. Sipas saj, është histori që do të ndryshojë shumë jetë.

Krasniqi ka thënë se vendimi i tij për të dalë hapur që të tregojë për përjetimet e tij, është akt që frymëzon.

“Do të jem përkrahja jote më e madhe, jo sepse më ke zgjedhur, por sepse e meriton. Dhimbja dhe vuajtja jote nuk janë vetëm e kaluara jote, por një barrë që ti e ke kthyer në forcë dhe në zë për të gjithë ata që nuk mund të flasin ende. Të jetosh në një shoqëri kaq patriarkale, ku burrat mësohen të heshtin, ku dhimbja maskohet me forcë dhe ku plagët nuk pranohen – dhe të marrësh guximin të dalësh para botës dhe të flasësh për dhunën seksuale që ke përjetuar – është një akt që frymëzon. Është një dritë në një rrugë të errët. Ti je shembull për gjithë ne, në këtë vend, në këtë kohë. Ky rrugëtim, Ramadan, nuk është i lehtë. Është i mbushur me pengesa, me mosbesim, me stigma. Por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne. Shpresoj me gjithë zemër që shoqëria jonë të të trajtojë me respektin dhe dinjitetin që e meriton, dhe që shteti të njohë dhe të vlerësojë aktin tënd të guximshëm – sepse ajo që ke bërë ti sot është më shumë se rrëfim, është histori që do të ndryshojë jetë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nishori ka rrëfyer publikisht përjetimin e dhunimit seksual gjatë kohës së luftës në shtator të vitit 1998, si 21-vjeçar, në stacionin policor në Drenas.

“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai, në shënimin e Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës.