Arbëri

Krasniqi: "Pulsi publik" tregon se qytetarët më shumë frikësohen nga qentë endacakë sesa nga Serbia

Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se të dhënat e dala nga “Pulsi publik” tregojnë se qytetarët më shumë frikësohen nga qentë endacakë sesa nga Serbia. 

Të mërkurën në debatin mbi sigurinë dhe mirëqenien në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se këto të dhëna tregojnë se vetëm 0.6 për qind e qytetarëve e shohin si problem kryesor çështjen e sigurisë. 

“Një e dhënë shumë interesante që e nxora nga ‘Pulsi publik’. Qytetarët më shumë frikësohen prej qenve endacakë sesa prej Serbisë. Është e dhënë shumë interesante. ‘Pulsi publik’ i ka listuar 30 probleme me të cilat përballen qytetarët. Problemi i sigurisë është në vendin e 22-të, e problemi me qentë endacakë është shumë më lartë. Vetëm 0.6 për qind e qytetarëve e shohin si problem kryesor çështjen e sigurisë. 2 për qind thonë se problemi më i madh janë qentë endacakë. Ky është realiteti. 


Gjinovci: Nga dhjetori s'do të ketë më “njerëz të regjimit të vjetër” në Kushtetuese

Panelisti në emisionin “Konfront”, Rron Gjinovci, ka thënë se beson që përbërja e Gjykatës Kushtetuese do të ndërrojë në dhjetor të këtij viti dhe se Kushtetuesja nuk do të ketë më anëtarë njerëz të regjimit të vjetër”. 

“Në dhjetor të këtij viti në Gjykatë Kushtetuese do të ndërrojnë pak gjërat, nuk do të ketë më persona që i ka sjellë regjimi i vjetër sepse iu ka kaluar fati, edhe hapen tri vende të reja dhe besoj që ndryshon formacioni edhe me njerëzit që kanë me qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese nuk besoj që do të jenë njerëzit e dëgjueshëm të ish-regjimit të vjetër edhe ta bllokojnë çdo iniciativë të Qeverisë”, ka deklaruar Gjinovci në “Konfton” të KTV-së. 

Sipas tij në të kaluarën Gjykata Kushtetuese ka marrë më shumë instruksione nga ndërkombëtarët sesa nga vendorët. Gjinovci ka thënë se kjo do të ndryshojë. “Aty do të vinë njerëz që nuk do t’i dëgjojnë ndërkombëtarët, sikur qysh i kemi disa njerëz sot në Qeveri që nuk i dëgjojnë ndërkombëtarët por e dëgjojnë interesin e Kosovës”, Është shprehur Gjinovci.

Ai ka thënë se beson që Kuvendi i Kosovës do të zgjedhë person me integritet për anëtarë të Kushtetueses, duke shtuar se tani në përbërje të Kushtetueses ka anëtarë që nuk kanë integritet.


Nushi: Jeta e serbëve është vështirësuar, po ikin dyfish më shumë sesa shqiptarët

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka vlerësuar se jeta e serbëve në Kosovë është vështirësuar kohët e fundit. 

Sipas tij, ka ikje dyfish më të madhe të tyre sesa të shqiptarëve nga Kosova. 

“Simbolikat e kanë rritur ndasinë etnike në Kosovë. Sot një serb në Graçanicë e ka shumë më të vështirë të jetojë në Kosovë sesa më parë për shkak të presion shoqëror. Sot ka më së paku historikisht komunikim mes shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës. Është ikja e serbëve nga Kosova, sot ikin dyfish më shumë. Sot e kanë edhe një Qeveri që nuk komunikojnë me ta”, ka thënë ai. 


Nushi: Vendet e vogla si Kosova nuk e kanë luksin me u shndërrua në shtete militare

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka thënë se vendet e vogla si Kosova nuk mund të shndërrohen në shtete militare. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Nushi ka deklaruar se “luksin” për t’u shndërruar në shtete që fokusohen gjithmonë në mbrojtje ndaj armikut, e kanë vendet e fuqishme. 

Sipas tij, një element i rëndësishëm që i mungon Qeverisë së Kosovës është partneriteti me aleatët e fuqishëm. 

“Nuk çuditem që Serbia e pret momentin më të mirë për ta kryer një invazion. Ky invazion duhet të ndalet në koordinim me aleatët sepse shtetet e dobëta, siç është Kosova, të vogla për nga madhësia, të pafuqishme ekonomikisht nuk e kanë luksin të shndërrohen në shtete militare që fokusohen gjithmonë në mbrojtje ndaj armikut. Shtetet e fuqishme e kanë. Në shumë raste, jo vetëm ne, por edhe shtetet e fuqishme të Evropës mbrojtjen e bëjnë në koordinim apo në partneritet me aleatët e fuqishëm, ky element po mungon dukshëm në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.