Arbëri

Spahiu: PDK-ja do ta grinte VV-në nëse do të bënin koalicion

Panelisti në “Zgjedhjet në KOHË”, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do ta “grinte” Lëvizjen Vetëvendosje nëse do të bënin koalicion.

Sipas tij, VV-së i intereson që të bëjë koalicion me LDK-në, por se kësaj të fundit jo. E, ka thënë se PDK-së i intereson koalicioni me VV-në.

“Nëse PDK-ja do të futej në koalicion me VV-në, do ta grinte VV-në, do ta fuste në makinë mishi, sepse është parti më e strukturuar, më dinamike, i ka në kontroll gjykatat, prokuroritë, mediat, administratën, duke e pasur edhe gjysmën e qeverisë do ta grinte VV-në. VV-ja do të shkrihej”, ka theksuar ai.

EMISIONI I PLOTË:


Baraliu: Partitë janë lideriste, s'kanë demokraci të brendshme

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike në Kosovë janë lideriste dhe pa demokraci të brendshme.

Të mërkurën në “Zgjedhjet në KOHË”, Baraliu ka deklaruar se këto parti nuk e zhvillojnë demokracinë në parimet e tyre burimore, por kanë mentalitet fisnor, të bajraktarit të fisit, klaneve e vëllazërive. 

“Partitë janë lideriste, nuk kemi të bëjmë me parti që kanë të zhvilluar demokraci të brendshme, që i respektojnë institucionet e tyre, që të zhvillohet demokracia në parimet e saj burimore, siç do të duhej të ndodhte në Evropë. Mentaliteti fisnor, i bajraktarit të fisit, i klaneve, i vëllazërive mundet që nën vetëdije të përcillet edhe këtu. Vetë fakti, përjashtim bën rasti i AAK-së kur liderin e ka pasur për 6-7 vjet në Hagë, megjithatë ka pasur një konstancë, nuk është që ka rënë shumë, por faktikisht kemi mentalitet liderist”, ka thënë ai. 

VIDEO:


Spahiu: 40-përqindëshi i VV-së është votë nga frika mos po kthehet pushteti i vjetër

Panelisti në “Zgjedhjet në KOHË”, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se 40 për qind votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë votuar këtë parti nga frika që mund të kthehet pushteti i vjetër.

Sipas tij, kjo përqindje nuk ka qenë e kënaqur me punën e Vetëvendosjes për katër vjet në qeveri, por kanë votuar pro saj nga frika se opozita mund ta marrë pushtetin dhe ta kthejë gjendjen në pikën 0. 

“Unë mendoj se ky 40 përqindëshi i Vetëvendosjes nuk është elektorat gjenuin, është më tepër votues që ka votuar për Vetëvendosjen nga frika që opozita kthehet në pushtet. Nuk ka qenë i kënaqur tërësisht me punën e VV-së, por ka pasur frikë që nëse e marrin pushtetin e kthejnë gjendjen në pikën 0”, ka thënë ai. 

Spahiu ka shtuar se elektorati i VV-së tregon se është i emancipuar nëse disa ministra të deritanishëm të Qeverisë, nuk janë votuar për shkak të performancës së tyre. 

“Publiku e ka shprehur mirënjohjen ndaj asaj se çfarë ka bërë kjo qeveri në veri, dështimi në fusha të tjera është reflektuar në zbritje të votës. Kjo qeveri ka dështuar në arsim, në drejtësi, në infrastrukturë, pra gjatë krejt mandatit janë mbaruar katër kilometra rrugë Mitrovicë-Prishtinë edhe ato me një problem të madh korruptiv. Elektorati i Vetëvendosjes ka shanse që kur numërohen këto votat e deputetëve të tregojë nëse është vërtetë elektorat i emancipuar apo është tamam elektorat siç po e akuzon opozita. Nëse ta zëmë shumica e këtyre ministrave që i ka pasur Albin Kurti në Qeveri nuk do të kalojnë për t’u bërë deputetë, kjo tregon vërtetë emancipim të elektoratit, sepse i tregon një ministri që ne të kemi votuar por punën e dobët nuk ta aprovojmë”, ka shtuar ai. 

VIDEO:


Ondozi: Për fajin e KQZ-së po vazhdon tensioni i fushatës

Qërim Ondozi, poliglot dhe përkthyes, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta marrë fajin për vonesat e shkaktuara në numërimin e votave dhe të japë përgjegjësi.

“Vazhdon tensioni i një fushate që ka qenë mjaft e tensionuar dhe kjo për fajin e KQZ-së që nuk e ka menaxhuar situatën ose ka pasur ndonjë intervenim. Pajtohem që përgjegjësinë duhet ta marrë KQZ-së, qoftë me dorëheqje apo shkarkim”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.

Ondozi ka shtuar se nuk duhet përjashtuar asnjë opsion, qoftë edhe ai se ka mundur të ketë pasur ndërhyrje në sistemin e KQZ-së.

“Nuk mendoj që duhet të përjashtojmë opsione, për çdo parregullsi, çdo proces, duhet të bëhet një hetim i mirëfilltë për të parë nëse ka pasur ndërhyrje, sepse nuk bën të përjashtohet asnjë opsion. Ka ndodhur një dëmtim i procesit sepse duke marrë parasysh sa energjike ka qenë fushata, polarizimi që është shkaktuar, rezultatet preliminare, më e pakta që kanë pasur nevojë votuesit e Kosovës është t’i marrin përgjigjet sa më shpejt. Prandaj ekziston ai rregulli që numërimi do të fillojë menjëherë, sepse qytetari pret me padurim dhe t’ia mohosh një rezultat dhe ta zgjasësh debatin është dëmtim”.

VIDEO:


Krasniqi: Pas certifikimit të rezultateve do të duhej të shkarkohej kryesuesi i KQZ-së

Besnik Krasniqi, redaktor në Grupin KOHA, ka thënë se pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, do të duhej që të shkarkohej kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo për shkak të problemeve teknike me të cilat është ballafaquar KQZ-ja me procesin e numërimit.

“Përgjegjësinë duhet ta marrin drejtuesit e KQZ-së, përkatësisht kryetari, dhe nëse nuk dorëhiqet, puna e parë pasi certifikohet rezultati që do duhej ta bënte presidentja është shkarkimi i tij. Realisht është lënduar procesi, së paku në perceptimin e publikut ka ndikuar ajo avari”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se vendimet për shkarkime nuk duhet të merren sipas tekeve të personave të caktuar, por si ndëshkim për ngecjen në procese.  

“Përfaqësues shtetërore do duhej të udhëhiqeshin nga parime dhe teket nuk do duhej të kishin zënë vend apo të ishin përcaktuese në vendime të kësaj natyre. Nëse ka sot motiv për të marrë masa për të ndëshkuar njerëzit që ngelin në procese të kësaj natyre kaq të ndjeshme, me siguri është rasti me kryetarin e KQZ-së”.

VIDEO: