Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se partitë politike të cilat e dinë se nuk do të arrijnë të marrin pushtetin, bëjnë më shumë premtime.
Të mërkurën në “Zgjedhjet në KOHË”, Krasniqi ka folur për premtimin për rritje të pagave për 50 për qind, duke thënë se është rritje e ekzagjeruar.
Ai ka thënë se duhet analizuar premtimet e subjekteve politike në fushatë për t’i parë përceptimet e tyre lidhur me rezultatin zgjedhor.
“Nëse nisemi prej premtimit kryesor të z.Hamza që është rritja e pagave për 50 për qind, unë e pashë një analizë të një ekonomisti që i ka bërë këtij premtimi dhe doli që nëse buxheti aktual në shkallën 25 për qind shkon për paga dhe për shtesa, me këtë premtim të z.Hamza, i bie që ky nivel të ngrihet lart në 33 për qind. Mendoj se rritja 50 për qind (v.j. e pagave) është rritje e ekzagjeruar, premtim i ekzagjeruar siç është edhe premtimi për rritjen e koeficionetit në shkallën 150 euro. Unë besoj që duhet parë premtimet e subjekteve politike për t’i parë perceptimet e tyre se si do të dalin në fund të procesit zgjedhor. Sa më shumë premtime të mëdha që bëjnë, dihet që gjasat për të ardhur në pushtet janë më të vogla”, ka thënë ai.
Dakaj: LDK-ja po shpenzon më së shumti në fushatë, 3000 € në ditë veç në rrjete sociale
Gazetari Shkelzen Dakaj ka thënë se partia politike e cila po shpenzon më së shumti në fushatën parazgjedhore është Lidhja Demokratike e Kosovës.
Sipas tij, kjo parti po shpenzon deri në tre mijë euro në ditë vetëm në rrjetin social “Facebook”.
Ai tutje ka thënë se në fushatën e Lumir Abdixhikut është e përfshirë edhe një kompani izraelite.
“Nuk mund të them se cila, pasi që ende nuk e kam të konfirmuar saktë, për të qëndruar prapa asaj që e them. Është fushatë shumë e kushtueshme dhe para, më së shumti është duke investuar LDK-ja. Me sa duket, investimi i madh po vjen për shkak edhe të asaj që e dëgjuam këto ditë duke e përmendur që shumica e bizneseve e kanë orientuar ose janë duke i dhënë shumë para LDK-ja, e që tenderët më të mëdhenj janë dhënë në komunën e Prishtinës. Njëkohësisht po investon shuma jashtëzakonisht të mëdha edhe në rrjetet sociale. Vetëm dje i ka pasur diku 3000 euro investime në ditë vetëm në Facebook. Mbi 60 mijë euro i ka investuar deri dje në sponsorizime në çdo postim. Minimumi i sponsorizimit në postimet e kësaj partie është me 100 euro”, ka thënë ai.
Miftaraj: Përmirësimi i sistemit të drejtësisë, opozita s'po flet e VV-ja shpresë e humbur
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se gjatë fushatës, për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, partitë që janë në opozitë nuk po flasin e partia që është në pushtet, sipas tij, për këtë është shpresë e humbur.
“Unë sot nuk po shoh as te PDK-ja as te LDK-ja, as të AAK-ja, te Vetëvendosja do të thotë është shpresë e humbur që ata ndonjëherë, kanë mundësi ose kanë njohuri ose duan ta rregullojnë sistemin e drejtësisë”, ka theksuar Miftaraj në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”.
Sipas sundimi i ligjit është kyç për shumë fusha e edhe për fushën e investimeve të huaja. Ai ka thënë se në përmirësimin e klimës për investime të huaja nuk ka ndikuar as krijimi i Gjykatës Komerciale.
“Edhe sot një biznes që e bën një padi në gjykatë duhet të presë 3-4 vjet e rigjykim”, është shprehur Miftaraj.
Dakaj: Ashpërsimi i gjuhës nga Kurti, shenjë paniku
Gazetari Shkelzen Dakaj ka thënë se ashpërsimi i gjuhës së kryeministrit Albin Kurti gjashtë fushatës zgjedhore që po bën, është shenjë paniku.
Ai ka thënë se Kurti duke e ngritur tonin po kërkon të përplaset në distancë me partitë e tjera.
“E shoh një shenjë panike ashpërsimin e gjuhës, këto britmat e mëdha që po i dëgjojmë prej kryeministrit Kurti. Me gjasë po i ikë premtimeve ose shpalosjes së programit... janë premtimet e njëjta që i kemi marrë edhe më 2019 edhe më 2021”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.