Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë dy premtime kryesore mbi të cilat po garohet.
Sipas tij, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po garojnë me premtimin për paga në sektorin publik, ndërsa Vetëvendosje synon një mandat të ri me fokus në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Po i shoh dy premtime kryesore që po dominojnë. Ai për paga që target i ka diku 80 mijë njerëz në administratën publike. Mendoj se janë fokusuar PDK-ja dhe LDK-ja dhe siç dihet administrata publike është e politizuar dhe duke e ditur historikun kush ka qeverisur me vendin i bie që këto dy subjekte kanë hisen më të madhe në politizim dhe potencialisht e shohin elektoratin në këta 80 mijë votues që u premton paga. Dhe VV-ja që s’po premton dhe s’po beson që s’mundet të marrë kushedi çka në këtë trup elektorale, por premtimi tjetër është mbrojtja dhe sigurimi i shtetit ku është fokusuar VV-ja. Ka premtuar një miliard e të tjerët s’kanë dhënë shenja për masa siç ka premtuar VV-ja”, ka thënë ai.
