Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, përgjegjësia i takon atij që e propozon.
Ai ka thënë se nëse nuk arrihet që të votohet për të, duhet shqyrtuar edhe opsionet tjera që parashihen me Kushtetutë.
“Edhe sot ne jemi këtu për ta mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe për të ecur përpara, normalisht që për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit është përgjegjësia e atij që e propozon dhe besoj se edhe atyre u takon që t’i bëjnë votat nëse munden. Nëse jo, mendoj se duhet menduar edhe për opsione të tjera, të cilat parashihen me Kushtetutë”, ka thënë Krasniqi teksa po hynte në Kuvend, ku pritet të fillojë seanca konstituive.
I pyetur nga gazetarët nëse janë opsion zgjedhjet, ai shkurtimisht u përgjigj: “gjithmonë”.
