(Përditësuar, ora 11:56) - Naser Krasniqi ka vazhduar edhe të mërkurën dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ka thënë që në mars të vitit 1999 është zgjedhur komandant i sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Brigadën 121, por ka deklaruar se pozita e tij thuajse ka qenë fiktive.
Ai është duke dëshmuar në rastin ku për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit po akuzohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Mendoj që e kam thënë në një formë dhe kjo shkon përtej mundësive të kufizuara sepse edhe mundësitë e kufizuara më duket tepër. Prandaj, kam thënë në një rast se po të hiqeshin disa nga informacionet që i ka sjellë zotëri Baftiu atëherë kjo pozitë në Brigadën 121 mund të quhet pozitë fiktive. Megjithëse edhe ato pak informacione që janë sjellë nga personi në fjalë nuk është se përmbajnë ndonjë informacion të rëndësishëm. Ai sigurisht që do t’ia përcillte UÇK-së në cilëndo njësi që do të haste dhe nuk nënkupton që ka qenë ndonjë informacion që ka qenë i nivelit të shërbimeve informative apo zbulim-kundërzbulimi”, ka thënë Krasniqi.
E nga avokati i Veselit, Rodney Dixon u pyet se ku e përcillte informacionin e mbledhur.
“Kur thoni se aftësitë apo mundësitë kanë qenë ekstremisht të kufizuara, ju këtë informacion nëse e merrnit ja jepnit zotërisë Shala si komandant brigade. Kjo ishte procedura e zakonshme apo?”, ka pyetur Dixon.
“Po”, u përgjigj ai.
“Dhe sigurisht që këtë informacion ju nuk ia keni kaluar Kadri Veselit që ishte shefi ose drejtuesi i ZKZ-së apo?”, pyeti avokati.
“Pajtohem”, pohoi Krasniqi.
Haxhi Shala ka qenë komandant i Brigadës 121 në të cilën Krasniqi ka shërbyer edhe si polic ushtarak.
Nga avokati Dixon, Krasniqi u pyet edhe për një takim me Halil Qadrakun, udhëheqësin e ZKZ-së në Zonën Operative të Pashtrikut
“Takimi me Qadrakun ka qenë i rastësishëm dhe assesi nuk ka pasur të bëjë me një lloj takimi për shkak të pozitës që ai mbante e që unë u informova në atë moment nga ai. Do të thotë, në asnjë moment gjatë luftës nuk ka pasur as ndonjë korrespodencë formale, zyrtare apo bashkëpunim me zotëri Qadrakun në kuadër të këtij sektori”, ka thënë ai.
VIDEO:
Krasniqi: E vlerësoj kontributin e Selimit për lirinë, liroi të ndaluarit në rastin e Krojmirit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 118-të, Naser Krasniqi, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Geoffrey Robert i cili përfaqëson Selimin, dëshmitari tha se atë (Selimin) e vlerëson për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës si dhe ishte vetë ai që urdhëroi lirimin e të ndaluarve në rastin e Krojmirit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“E vlerësoj lartë zotin Selimi për kontributin e dhënë për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Në kontekstin e rrethanave të kohës, zoti Selimi mund të ketë bërë gjënë e duhur që i ka liruar të ndaluarit. Unë nuk jam këtu për ta vlerësuar një gjë të tillë. Unë jam këtu për të dëshmuar me korrektësi për atë që kam parë dhe që kam dëgjuar”, tha ai.
“Ai mund të ketë bërë veprimin e duhur se ne kemi qenë ata që i kemi ndaluar ata persona, zoti Selimi i ka liruar ata persona”, tha dëshmitari.
Krasniqi mohoi se ka pasur ndonjë vendim me shkrim për lirimin e këtyre personave.
“Lirimi i tyre ka ndodhur në mënyrë verbale. ‘Këta duhet të lirohen’ dhe stafi i qendrës së mbajtjes i ka liruar. Kaq”, tha Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi mohoi se ka kundërshtuar lirimin e ndonjë personi në këtë rast ose në raste tjera.
“Nuk ka qenë detyrë e imja të kundërshtoj dhe nuk mendoj që është rregull që dikush që është më poshtë të kundërshtojë dikë që është pak më lartë sepse në fund të fundit në kontekst të rrethanave unë kam menduar që ai bëri veprimin e duhur”, tha Kransiqi.
Gjatë dëshmisë, dëshmitari tha se nuk ka pasur praktikë standarde se si duhet të veprohet në raste të tilla përveç udhëzimeve që i ka dhënë Sokol Dobruna.
Naser Krasniqi pohoi se përveç Sokol Dobrunes, nuk kishte të emëruar tjerë në Gjykatën Ushtarake.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi