Arbëri

Refuzohet kërkesa e Listës Serbe për zgjedhjet në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka komentuar kërkesën e Listës Serbe për dorëheqjen e kryetarëve në veri. Ai ka theksuar se do të jenë të kujdesshëm në secilin veprim, pasi Serbia në terren ka vepruar në formë terroriste

Kërkesa e Listës Serbe që t’u hapet rrugë zgjedhjeve komunale në veri të vendit me dorëheqjen e kryetarëve nuk ka marrë miratimin e autoriteteve të Kosovës.

Zyrtarë qeveritarë kanë theksuar të hënën se lidhur me këtë çështje duhet të jenë të kujdesshëm, meqë Serbia ka përdorur metoda terroriste.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjatë vizitës në lagjen “Kurillë” të Prizrenit, ka theksuar se përderisa Kosova është angazhuar për mundësimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale në veri, Serbia ka financuar një grup terrorist me qëllim të aneksimit të kësaj pjese.

“Pas 24 shtatorit tashmë asgjë nuk është e njëjtë. Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar, vazhdon që të jetë e përkushtuar për dialog dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne kemi iniciuar një grup, i cili ka hapur rrugën që përmes Udhëzimit Administrativ për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit, dhe derisa ne ishim të angazhuar për këtë, Serbia ka financuar një grup terrorist, i cili pati për qëllim aneksimin e veriut të vendit. Për momentin duhet të jemi të kujdesshëm për secilin veprim që e ndërmarrim për shkak se tashmë është shumë e kuptueshme që qëllimet e Serbisë e kanë tejkaluar edhe mundësinë që të fshihen prapa deklaratave të mira e në terren vepron në formë terroriste”, ka thënë Krasniqi.

Lista Serbe javën e shkuar është tërhequr nga kushtet e mëhershme për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale në veri – që ishin largimi i njësive speciale nga veriu dhe themelimi i Asociacionit.

Në koordinim me Beogradin zyrtar ky subjekt pati kërkuar dorëheqje të kryetarëve për t’u hapur rrugë zgjedhjeve, megjithëse Qeveria miratoi udhëzimin që atyre t’u hapet rrugë përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve.