Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka vazhduar punën me skanimin e listave të votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Sipas KQZ-së, vetëm pas këtij procesi i cili pritet të përfundojë javën e ardhshme, do të nisë numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
7.718 pako të votuesve jashtë Kosovës nuk janë verifikuar ende dhe pritet të hapen javën e ardhshme, ka njoftuar Komisioni Qendror të Zgjedhjeve.
Deri tash procesit të verifikimit i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140, ndërkaq janë refuzuar 3,269 sosh.
“Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7.718 pako me fletëvotime. Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara. Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104.924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84.600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20.324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike”, ka njoftuar KQZ-ja.
KQZ-ja, tek të shtunën ka nisur skanimi i listave të votuesve nga e gjithë Kosova, proces ky i domosdoshëm për ta konfirmuar validitetin e votave me kusht.
“Të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2.533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, thuhet në njoftim.
Numërimi i këtyre pritet të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, por KQZ-ja nuk ka dhënë datë kur pritet të nisë ky proces.
Zarfe me fletëvotime me kusht janë 12.801, kurse vota të personave me nevoja me nevoja të veçanta janë 2.597 vota.
Derisa të premten ka përfunduar numërimi i votave në Qendrat Komunale të Numërimi, në këtë gjendje ka mbetur QKN-ja në Prishtinë.